Durrës, peshkarexha zbulon një minë detare
Predha e rrezikshme ka rënë në rrjetë në një thellësi 81-87 metra dhe dyshohet se është e Luftës së Dytë Botërore
DURRËS- Një motopeshkatore e portit të Durrësit, ka gjetur dje në orët e para të mëngjesit një minë detare. Predha e rrezikshme ka rënë në rrjetën e kësaj të fundit krejt rastësisht kur peshkatarët po gjuanin për peshk. Ata janë habitur nga rëndesa e rrjetës dhe kur e kanë ngritur kanë vënë re predhën luftarake. Menjëherë është njoftuar dispeçeria e portit të Durrësit, e cila ka marrë në dorëzim predhën luftarake. Specialistët e ushtrisë nuk kanë dhënë ende një përfundim zyrtar se e cilës periudhë është kjo predhë e gjetur në thellësinë 81-87 metra.
Sipas burimeve nga shoqata e menaxhim- peshkimit në Durrës, mina detare është kapur rreth tre milje larg Bishtit të Pallës. Ka qenë peshkarexha "Emiliano", e cila po peshkonte në atë zonë që ka ndier rëndesën e saj në rrjetë. Fillimisht peshkatarët kanë menduar se kanë kapur ndonjë peshkaqen apo ndonjë peshk të madh për shkak të peshës. Ata kanë nisur të ngrenë me kujdes rrjetat në mënyrë që të mos kishin probleme por janë befasuar nga ajo që kanë parë. Mes sasisë së peshkut që kishin kapur gjendej një objekt i rëndë metalik i mbuluar nga leshterikë dhe bimë të tjera deti. Kur kanë larguar peshqit ata janë befasuar dhe tronditur nga mina detare që kishte mbetur në mes të rrjetës. Urgjentisht është njoftuar kapiteneria dhe kjo e fundit ka dhënë njoftimin në instancat përkatëse. Për arsye sigurime autoritetet portuale nuk kanë lejuar futjen e anijes në port deri sa situata të merrej nën kontroll nga ekspertët e ushtrisë. Gjatë kësaj kohe ekspertë të flotës detare kanë shkuar aty ku ndodhej anija dhe kanë marrë në kontroll dhe në ruajtje minën detare. Nga të dhënat e para dyshohet se kjo predhë i përket Luftës së Dytë Botërore. Sipas të dhënave të para që janë bërë publike, mina detare është e përmasave mesatare. Ajo është gjetur në thellësinë ujore 81-87 metra dhe në kuadrantin detar 27 në koordinatat: gjerësia veri 41 gradë, 31 minuta e 7 sekonda dhe gjatësia në linë 19 gradë, 16 minuta e 3 sekonda. Rreth orës 09.40, mina detare i është dhënë ekspertëve të ushtrisë dhe më pas anija ka hyrë në portin e Durrësit. Burime zyrtare nga dispeçeria e sektorit të peshkimit, bënë të ditur se grupi i specialistëve të çminimit do ta transferojnë minën në një nga anijet ushtarake të Flotiljes detare të veriut, për ta dërguar më pas në poligonin e asgjësimit. Kjo nuk është hera e parë që në bregdetin e Durrësit zbulohen predha apo dhe mina detare dhe për fat të mirë, deri tani, nuk ka pasur asnjë incident.