Kokaina në pube, arrestohet shpërndarësi me 48 doza
Nik Gjonikaj prangoset në derën e një lokali nate në Tiranë
TIRANË- Arrestohet shpërndarësi i dyshuar i kokainës në lokalet e natës në Tiranë. Operacioni i koduar "Taksia', i organizuar nga antidroga e policisë së Tiranës është finalizuar në orët e para të ditës së djeshme me sekuestrimin e 36.8 gramë kokainë dhe arrestimin e 38-vjeçarit Nik Gjonikaj. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit thanë se Gjonika është kapur teksa po tentonte të hynte në një lokal nate në rrugën "Karl Gega" në Tiranë, me qëllim shitjen e drogës. Agjentët e antidrogës, disa ditë më parë kishin siguruar informacione në rrugë operative për "aktivitetin" e 38-vjeçarit dhe e kanë mbajtur atë nën vëzhgim. Por për të bërë ndërhyrjen, nevojitej arrestimi i tij me drogë ndër duar. Menjëherë, policia nisi hetimet për të verifikuar informacionet. I dyshuari si shpërndarës kokaine në Tiranë është mbajtur në vëzhgim nga agjentët e antidrogës të cilët kanë siguruar edhe informacione të sakta për vendin ku shpërndahej kokaina. Kështu në orët e vona të mbrëmjes, duke u gdhirë dita e djeshme Gjonikaj do të shpërndante 48 doza drogë e dyshuar kokainë, në lokale nate. Itinerari i 38-vjeçarit në fundjavë ishte mësuar nga antidroga, e cila organizoi menjëherë operacionin. Policia mundi të kapte meGjonikën, teksa ky i fundit po zbriste nga taksia, në derën e një pubi të njohur në Tiranë, për të shitur lëndën narkotike. Gjatë kontrollit të ushtruar atij iu sekuestrua kokaina, me vlerë rreth 2800 USD, shuma e parave prej 16.000 lekësh, të përfituara nga shija e drogës si dhe dy aparate celularë. Ndaj tij u mor masa e menjëhershme e arrestit në flagrancë për konsumimtë veprës penale të "prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike". Burime nga sektori i Antidrogës bëjnë me dije se hetimet e mëtejshme do të kenë në fokus "peshqit" e mëdhenj të shpërndarjes së kokainës në kryeqytet.