Gjakmarrja, ekzekutohet në Has një 39-vjeçar
Hazir Rexha, babai i katër fëmijëve është vrarë me 15 plumba nga Keqan Dauti. Fiset në hasmëri prej pesë vitesh
HAS- Krimi i gjakmarrjes ka shkaktuar një tjetër viktimë dje, këtë herë në rrethin e Hasit. Një 39- vjeçar nga fshati Golaj ka rënë pre e gjakësit të tij rreth orës 17.00 të ditës së djeshme. Pa asnjë paralajmërim, pa pritur asnjë çast vrasësi ka zbrazur automatikun e tij duke lënë të vdekur në vend Hazir Rexhën, babanë e katër fëmijëve. Vetëm pak minuta më pas, policia ka zbuluar dhe arrestuar autorin e kësaj vrasjeje. Ai është 45-vjeçari Keqan Dauti, i cili nuk ka bërë aspak rezistencë por është dorëzuar kur ka parë policinë. Dy familjet Rexha e Dauti kishin vite që ishin në hasmëri mes tyre.
Burime nga vendi i ngjarjes pohuan dje se rreth orës 17.00 të ditës së djeshme, 39- vjeçari Hazir Rexha ndodhej në një lokal së bashku me disa nga miqtë e tij. Por dikush e kishte pikasur dhe kishte njoftuar gjakësin e tij nga fisi i Dautëve. Sapo Hazir Rexha ka dalë nga lokali që ndodhet para qendrës së komunës Golaj të Hasit, është përballur me vrasësin e tij. Keqan Dauti i është shfaqur përpara me një automatik kallashnikov në dorë. Ai nuk ka pritur asnjë sekondë por ka hapur zjarr me breshëri ndaj viktimës Hazir Rexha. Dëshmitarët okularë pohuan se 45- vjeçari aduti ka pushuar së qëlluari vetëm kur nuk kishte më asnjë plumb në automatikun e tij. Hetuesit e policisë shpjeguan më pas se 15 prej plumbave të automatikut kanë goditur Hazir Rexhën në trup. Ai ka mbetur i vdekur në vend si pasojë e shokut hemorragjik dhe dëmtimit të organeve të brendshme. Më pas autori i vrasjes është larguar nga vendi i ngjarjes për në drejtim të shtëpisë së tij. Ai ka kaluar përmes fshatit i pa shqetësuar nga askush dhe vetëm pak minuta më pas në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të komisariatit të policisë së Hasit si dhe përforcime nga Kukësi. Sipas policisë, si autori i kësaj vrasjeje është identifikuar menjëherëKeqan Dauti nga fshati Golaj. Uniformat blu kanë shkuar në shtëpinë e tij për të kryer arrestimin dhe ai nuk ka bërë asnjë rezistencë.
Zanafilla që ka çuar në vrasjen e 39- vjeçarit Hazir Rexha ka qenë një histori gjakmarrjeje. Autorit të vrasjes, para pesë vjetësh i kishin vrarë babanë pas një konflikti pronësie. Pas vrasjes së Hysni Dautit (babai i Keqan Dautit), të ndodhur para pesë vjetësh, në vendin e quajtur Sektori i Gjeologjisë në afërsi të fshatit Golaj, policia ndaloi asokohe Halit Rexhën (vëllai i viktimës) dhe Tahir Rexhën (kushëri i parë i viktimës). Pas disa kohë qëndrimi në qelitë e paraburgimit, dy të arrestuarit për vrasjen e Hysni Dautit janë liruar për mungesë provash, pasi vrasjen e Hysni Dautit e mori përsipër babai i viktimës Zenel Rexha. Ky i fundit ka vdekur pak kohë pas krimit, pa arritur që të kapej nga ana e policisë. Pas këtyre zhvillimeve, dy familjet sikur janë pajtuar dhe për vetë faktin se familja Rexha nuk është ngujuar. Ndërkohë që Hazir Rexha, prej një viti ishte larguar nga fshati Golaj, për t'u vendosur me banim në fshatin Laknas të Tiranës. Gjatë kësaj kohe, viktima punonte si taksist me një automjet tip "Mercedes Benz" dhe linja që ai punonte ishte kryesisht ajo Tiranë-Has. Por udhëtimi i së dielës drejt Hasit ka qenë fatal për Hazir Rexhën ku ka rënë viktimë e plumbave të gjakësit, vetëm një kilometër larg vendit, ku autorit të vrasjes para pesë vjetësh i kishinvrarë babanë. Ndërkohë pas ngjarjes forca të shumta të policisëjanë stacionuar në fshatin Golaj nga frika e ndonjë hakmarrjeje të shpejtë në mes dy familjeve. Bashkim Shala