E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH: 43 milionë lekë abuzime në Vlorë

Ymeraj: Kontrollet janë përqendruar në Bashkinë e Orikumit, Drejtorinë Rajonale të Arsimit dhe Drejtorinë e Rrugëve
VLORË- Gjatë kontrolleve të ushtruara muajt e fundit në disa institucione lokale në rrethin e Vlorës, Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka evidentuar abuzime me fondet në një masë prej 43 milionë lekë. Sipas kryetarit të Zyrës Rajonale të KLSH-së, Piro Ymeraj, kontrollet janë përqendruar në tre institucione, Bashkinë e Orikumit, Drejtorinë Rajonale të Arsimit dhe Drejtorinë e Rrugëve, për periudha të ndryshme kohore, respektivisht për periudhat 2004-2005 dhe2005-2006. "Në kontrollet e ushtruara në bashkinë e Orikumit, për periudhën mes viteve 2005-2006, janë evidentuar 30.6 milionë lekë dëme, të cilat janë shkaktuar kryesisht në mosrespektimin e kuadrit ligjor në procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit, nga ana e KRRT-së së kësaj njësie të qeverisjes vendore',- thuhet në raportin e KLSH-së. Mes shkeljeve përfshihen dhënia e këtyre lejeve për sipërfaqe më të mëdha se ato që disponoheshin nga subjektet kërkuese, individë e firma ndërtimi, cënimi i procedurave të prokurimeve publike me fondet e vëna në dispozicion për investime të ndryshme,etj. Gjithashtu, inspektorët e KLSH-së, kanë evidentuar 5.8 milionë lekë abuzime, me investimet e kryera nga Drejtoria Rajonale e Arsimit, në objekte të ndryshme, ku përfshihet projekti i rehabilitimit të godinës së shkollës së mesme tregtare të qytetit të Vlorës. Shkeljet financiare të konstatuara këtu lidhen kryesisht me punimet e pakryera, apo ato me cilësi të ulët, të parashikuara në projekt-preventivat përkatëse. Ndërkohë, në aktivitetin e KLSH-së, është përfshirë edhe puna e kryer në Drejtorinë Rajonale të Rrugëve për periudhën 2004-2005, ku janë evidentuar 6.7 milionë lekë dëme, të cilat janë konstatuar kryesisht në shkeljen e procedurave në prokurimet publike me fondet në dispozicion. Aktualisht, inspektorët e Kontrollit të Lartë të Shtetit, për rajonin e Vlorës, kanë nisur një kontroll në bashkinë e këtij qyteti. Ky kontroll, që pritet të përfundojë brenda muajit shkurt, do të fokusohet në prokurimet me fondet publike dhe procedurat financiare, të realizuara në aktivitetin e përditshëm të kësaj njësie të qeverisjes vendore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›