Fushë-Krujë-Lezhë, 1 mijë gjoba në aksin problematik
Edhe në Lushnje janë shtuar ndjeshëm patrullat e policisë rrugore për të parandaluar aksidentet
Urdhrimë i fundit i Ministrisë së Brendshme për rregullimin e qarkullimit rrugor dhe pakësimin e aksidenteve ka vënë në lëvizje të gjitha komisariatet e policive në vend. Uniformat blu kanë pushtuar rrugët dhe kanë ndëshkuar mijëra shoferë për shkelje të ndryshme. Kështu vetëm në rrugën me problematike të Shqipërisë, superstrada Fushë-Krujë-Lezhë, janë vendosur më shumë se një mijë gjoba të ndryshme rrugore. Burime të policisë lokale pohuan se gjatë këtij muaji janë vendosur 1015 masa administrative gjoba me vlerë 947.000 lekë të reja. Ndërkohë janë bllokuar 27 automjete, janë hequr 40 patenta si dhe janë bllokuar nëntë leje qarkullimi automjetesh. Për të shmangur aksidentet e rënda në këtë aks të rrezikshëm rrugor janë vendosur patrulla shtesë, sidomos në vendet që janë cilësuar si burim kryesor aksidentesh. Burimet pohuan se një numër i madh patrullash rrugore janë vendosur edhe në mjediset e qyteteve të qarkut të Lezhës.
Nga ana tjetër, edhe në një tjetër rreth problematik për aksidentet siç është ai i Lushnjes është vënë re një shtim i ndjeshëm i masave të policisë rrugore për të parandaluar aksidentet. Për këtë qëllim ata kanëhartuar një plan-masash të detajuar, zbatimi i të cilit ka nisur të japë frytet e para. Postblloqet dhe kontrollet e shumta, kanë përmirësuar ndjeshëm lëvizjen dhe trafikun në qytet. Shefi i sektorit të Policisë Rrugore të Lushnjes, Arben Xhidia, tha se ky shërbim ka shtuar numrin e patrullave të lëvizshme dhe atyre statike si dhe ka organizuar shërbime të përforcuara në akset rrugore nacionale, si në rrugët Lushnjë – Fier,Lushnjë-Rrogozhinë. Sipas Xhidisë, postblloqe dhe kontrolle janë organizuar dhe brenda qytetit dhe në linjat e brendshme si Lushnjë –Divjakë, Lushnjë- Berat. "Objekti i kontrolleve ka qenë shumë dimensional, si në drejtim të zbatimit të Rregullave të Qarkullimit Rrugor, ashtu dhe të anës dokumentare të mjeteve dhe drejtuesve të tyre",- tha Xhidia. Sipas tij, kontrollet kanë konsistuar në verifikimin e moshës dhe pajisjes së drejtuesve me lejen e qarkullimit, dokumentacionin e mjetit dhe gjendjen teknike, përdorimin e alkoolit, shpejtësinë, parakalimet dhe parkimet.