E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pikëkalimi liqenor me Malin e Zi, peng i burokracisë

 Që nga dita e parë, në qershor 2006, pikëkalimi liqenor Shkodër-Vir Pazar ka mbetur në heshtje për faj të malazezve
SHKODËR- Pikëkalimi kufitar që lidh Shqipërinë me Malin e Zi, ai liqenor Shkodër- Vir Pazar, i hapur më 18 qershor të vitit 2006, është jashtë funksionit. Që nga dita e parë, ku në inaugurimin e tij morën pjesë mjaft autoritete të larta të dy vendeve dhe me dy tragetet që do qarkullonin në të vetmin pikëkalim kufitar liqenor erdhën mjaft banorë nga Mali i Zi, ky pikëkalim ka mbetur në heshtje. Infrastruktura e ngritur në afërsi të urës së Bunës vazhdon të jetë prezent, ndërsa të vetmit që punojnë këtu janë shërbimet e policisë 24 orë si dhe kapiteneria, punonjësit e të cilës vijnë e shohin ndonjëherë ambientet e tyre.
Por mungesa e funksionimit ka nisur të jetë e dukshme dhe në amortizimin e këtyre ambienteve siç është rrethimi, i cili tashmë është i pjesshëm apo flamujt që valëviten jo të plotë, por vetëm gjysma e tyre pasi janë dëmtuar nga faktorët atmosferikë. Ndonëse u pat deklaruar se tragetet do funksiononin rregullisht në këtë pike kalimi kufitar, kjo nuk ndodhi asnjëherë gjatë kësaj periudhe. Dy tragetet e dhëna me qira nga bashkia e Shkodrës kanë qenë në gatishmëri për transport njerëzish, por pengesa ka ardhur nga mos të qenit gati të palës malazeze. Kjo pohohet dhe nga drejtues të lartë të pushtetit vendor në Shkodër, që kanë theksuar se ky pikëkalim kufitar nuk është vënë akoma në eficiencë, për shkak se pala malazeze nuk ka qenë gati dhe mjeteve lundruese të kësaj linje nuk i është caktuar ende vendi i ankorimit në portet malazeze. Mosplotësimi i detyrimeve për krijimin e infrastrukturës përkatëse nga ana malazeze, sipas marrëveshjes së nënshkruar mes dy vendeve, ka bërë që ky pikëkalim kufitar aq i pritur dhe i dëshiruar jo vetëm për qytetarët shqiptarë por dhe për ata malazez si dhe lëvizjen e turistëve ditorë nga dy anët e kufirit, të mos jetë i përdorshëm dhe besimi se ai do mund të funksionojë normalisht të humbë. Burime nga policia kufitare dhe institucionet shqiptare pohojnë se ato janë vetëm në pritje të plotësimit të detyrimeve nga pala malazeze , pasi për palën shqiptare është gjithçka gati. Janë katër pikëkalime kufitare që lidhin Shqipërinë me Malin e Zi, të katër në qarkun e Shkodrës. Han i Hotit- Bozhaj, Muriqan – Sukobinë, Vermosh- Gërçar dhe Ura Bunës – Vier- Pazar janë ato që bëjnë të mundur lëvizjen e lire të njerëzve në dy anët e kufirit, pa pasur nevojëpër vizë, dhe pa detyrime financiare. Por përveç pikëkalimit kufitar liqenor që nuk funksionon, probleme ka dhe në atë të Vermosh- Gërçarit, i cili për shkak dhe të terrenit të thyer malor ka probleme në infrastrukturë dhe nuk është në eficiencë normale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›