Durrës, pika të rrezikshme gazi dhe karburanti, nis aksioni
Prej një jave ka nisur në shkallë qarku verifikimi dhe kontrolli i të gjitha pikave të gazit dhe karburanteve, të cilat përbëjnë rrezik serioz për jetën e komunitetit. Por çuditërisht, vatrat më të rrezikshme janë gjendur jo në komuna e bashki të vogla, por pikërisht në qytetin e Durrësit dhe brenda vijës tij të verdhë.
Prefektura e Durrësit ka siguruar një informacion të rëndësishëm lidhur me situatën e pikave të shpërndarjes së karburanteve dhe të gazit si dhe rreziqet që paraqesin për popullatën një pjesë e mirë e tyre. Informacioni është dërguar edhe në Tiranë ndaj ka të ngjarë që Inspektorati i Policisë Ndërtimore i Tiranës të vijë në Durrës për të prishur pikat e rrezikshme.
Aksioni
Prefekti i Durrësit, Kodian Pajuni, organizoi një grup pune me ekspertë të fushës të cilët për disa ditë me radhë ushtruan kontrolle në Durrës dhe në fshatrat kryesore të tij. Objekti i këtij kontrolli ishin pikat e shpërndarjes së karburanteve dhe të gazit të cilat rrezikojnë jetën e banorëve pasi janë ngritur në vende të cilat nuk plotësojnë kriteret.
Nga kontrolli rezultoi se në Durrës dhe zonat rreth tij janë 19 pika shpërndarje karburanti të cilat janë klasifikuar të rrezikshme për jetën e banorëve, ku 10 prej tyre ndodhen brenda në qytetin e Durrësit në 5 lagje të tij, 5 pika të tjera janë ndërtuar në Shijak, 1 në rrugën Spitallë-Shën Vlash dhe dy në rrugën Manëz- Ishëm. Grupi i punës konstatoi 17 njësi të rrezikshme autogaze brenda qytetit të Durrësit dhe pranë tij. Ato funksionojnë në Shkozet, Port, Ura e Dajlanit, Spitallë e në ndonjë lagje tjetër.
Njësi të rrezikshme
Prefektura ka klasifikuar edhe 3 njësi shumë të rrezikshme të mbushjes së bombolave me transfazim të cilat janë ndërtuar në pjesët e brendshme të Durrësit. Prefektura e ka dërguar informacionin lidhur me këto pika shpërndarjeje të karburantit dhe të gazit në Tiranë.
Prefekti Pajuni deklaroi për “standard” se “është Inspektorati i Policisë Ndërtimore i Tiranës ai që ka të drejtë të ndërhyjë për prishjen e tyre, por kjo do të ngjasë po qe se ministria përkatëse, e cila ka lëshuar licencat për aktivitetin e tyre, do të prishë marrëveshjen me pronarët e tyre”. Të gjitha pikat e klasifikuara si të rrezikshme dhe shumë të rrezikshme janë të licencuara dhe paguajnë detyrimet ndaj shtetit.
Masakra
Vidhet rëra e lumenjve në Durrës
Firma pirate (të paligjshme) dhe kamionët, pronë e tyre, prej muajsh po vazhdojnë të bëjnë masakër mbi inertet e lumenjve si dhe mbi rërën e plazhit. Madje kjo e fundit ka nisur të grabitet nga plazhi publik natën. Duket se institucionet e kontrollit e kanë harruar këtë detyrë, duke lënë në mëshirën e fatit këtë pjesë të mjedisit. Rëra e plazhit vazhdon të ushqejë industrinë e ndërtimit. Është fjalë për rërën e imët, e cila merret nga bregu i detit. Zonat më të preferuara nga ana e kamionëve piratë janë ato larg qendrave të banuara. Të tilla janë Gjiri i Lalësit, Rrushkulli, Bishti i Pallës, Porto Romanoja e ndonjë sektor tjetër. Kjo rërë, pasi lahet me ujë të ëmbël për t’i larguar kripën, përdoret për përgatitjen e llaçit apo për suvatim. Janë me dhjetëra kamionë që çdo natë përshkojnë rrugët e plazheve dhe pasi ngarkohen me rërë, ua shesin atë ndërtueseve, kryesisht në zonat rurale. Këtë rërë e blejnë ndërtuesit e palicencuar të cilët ndërtojnë larg qytetit të Durrësit në mënyrë që t’u shmangen kontrolleve nga ana e organeve përkatëse. Me vite të tëra rëra e imët u grabit në plazhin e Durrësit, te Shkëmbi i Kavajës dhe Golem. Më pas këto zona u morën në mbrojtje nga ana e policisë, ndaj vëmendja e shfrytëzuesve të kësaj pasurie u zhvendos më tutje larg syve të rojeve. Krahas 6 subjekteve të licencuara të cilat kanë të drejtë të shfrytëzojnë shtretërit e lumenjve për të nxjerrë prej andej lëndët inerte, janë me dhjetëra kamionë të cilët gërryejnë në mes të ditës zallin e tyre. Janë vetë pronarët e pikave të përpunimit të lëndëve inerte si të zhavorreve, granileve apo rërës së lagur që janë ankuar pranë Drejtorisë Rajonale të Tatim-Taksave si dhe te Zyra Rajonale e Mjedisit për atë që po ngjet përgjatë shtretërve të lumenjve Erzen, Ishëm dhe Mat. Një vit më parë, ishte vetë prefekti i Durrësit, Pajuni, ai që drejtoi një aksion kundër subjekteve pirate të cilat në mënyrë abuzive shfrytëzojnë shtretërit e lumenjve. Asokohe u vendosën sanksione të ashpra ndaj disave prej tyre të cilat arritën deri në sekuestrim të mjeteve motorike si ekskavatorë dhe kamionë. Ndoshta e vonuar, por është nevojë urgjente të nisë sërish aksioni për ndalimin e kësaj masakre mbi shtretërit e lumenjve dhe rërën e plazhit në Durrës.
Pranimet
1335 kuota të reja për Universitetin Politeknik
Shtohen kuotat e pranimit për vitin e ardhshëm akademik edhe pranë Universitetit Politeknik në Tiranë. Pas rishikimit të ambienteve përkatëse të secilit prej fakulteteve, janë detajuar dhe propozimet në lidhje me kuotat e pranimeve akademike për vitin 2009-2010. Bazuar në përcaktimet e bëra mbi shpërndarjen e kuotave për çdo degë rezulton se në total ky universitet do të hapë dyert për rreth 1335 studentë të rinj, të cilët do të arrijnë të shpallen fitues pas përllogaritjes së të gjithë komponentëve përbërës të Maturës Shtetërore. Brenda dy javëve të ardhshme pritet që të shpërndahet pranë shkollave të mesme formulari i listimit të dhjetë preferencave, ku maturantët duan të ndjekin studimet e larta. Plotësimi i formularit A2, në të cilin radhiten preferencat për degët e fakulteteve publike, do të nisë gjatë muajit qershor. Për plotësimin e tyre do të ketë një afat të caktuar kohor prej rreth dy javësh. Gjithashtu, është vendosur që dorëzimi i këtyre formularëve të plotësuar pranë Agjencisë së Vlerësimit (AVA), nga drejtoritë arsimore do të bëhet deri në datën 2 korrik. Pas kësaj date, nis procesi i hartimit të testeve për provimet e lëndëve me zgjedhje.