Qytetarët: Shteti është përgjegjës për tragjedinë
"Ata që janë përgjegjës për këtë tragjedi duhet të marrin atë që meritojnë. Qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes duhet të kërkojnë falje publike. Akti i dorëheqjes është më i pakti që mund të bëjnë". Janë këto vetëm disa nga komentet që bëjnë qytetarë të ndryshëm për nga mosha dhe profesionet, në kryeqytet. Të gjithë në dukje ecin të qetë, dikush me më shumë nxitim e një tjetër më me nge, por po t‘i ndalosh e t‘i pyesësh, askush nuk ka shpëtuar nga përjetimi i gjendjes së panikut, shokimit për atë që kanë parë e dëgjuar në Gërdec të Vorës. Mungesa e sigurisë për jetën, mosbesimi te shteti që duhet të mbrojë interesat e tyre, paniku dhe dhembshuria për viktimat e tragjedisë së Gërdecit janë bisedat më të shpeshta të të gjithë shqiptarëve gjatë këtyre ditëve. Edhe në kryeqytet, të pyetur lidhur me tragjedinë e ndodhur të shtunën në ish-Repartin Ushtarak të Gërdecit, ku humbën jetën mbi 16 persona dhe ende numërohen disa të humbur, qytetarët pohojnë indinjatën e fortë dhe ndëshkimin e përgjegjësve.
Alketa, 32 vjeç, punonjëse në administratën shtetërore
Ishte një gjë krejt e paimagjinueshme. Nuk arrija t‘u besoja syve për atë që po shihja në televizor. Gjëra të tilla nuk duhet të ndodhin. Është e pafalshme. Një tragjedi. Unë punoj vetë në shtet, por e kuptoj që shteti është plotësisht fajtor. Tani kemi frikë nga çdo gjë. Këtu nuk i dihet se nga të vjen e keqja. Askush nuk mban përgjegjësi. Ministrat nuk janë në këto poste për përfitime personale, janë për të kryer detyrën, por siç ndodh në Shqipëri, çdo gjë funksionon mbrapsht. Dorëheqja e Mediut ishte më e pakta në këtë situatë.
Avniu, 47 vjeç, shofer
Kjo është më shumë se sa e turpshme për një shtet që të lejojë gjëra të tilla. Ne nuk jemi në luftë, po nuk ka asnjë ndryshim, ajo luftë ishte. Kam qëlluar në rrugë, fatmirësisht jo shumë afër tragjedisë. T‘i shikoje si ishin bërë makinat që vinin nga Vora. Njerëzit ishin të llahtarisur. Ky është akt i dënueshëm, duhet të dalin patjetër përgjegjësit dhe të marrin dënimin më të rëndë. Çfarë shteti është ky që tallet me jetën e njerëzve. Tjetër gjë thotë Kryeministri e tjetër ministri. Mbulojnë njëri-tjetrin. Duhen dënuar ata që mbajnë përgjegjësi. Të ikin se na i kanë vënë thonjtë në fyt.
Brunilda, 38 vjeç, avokate
Për ngjarjen e Gërdecit ajo që mund të them unë është se të gjithë ata njerëz të dëmtuar nga kjo tragjedi e pafalshme duhet që së pari të hapin një megaproces kundër shtetit dhe të kërkojnë dëmshpërblim deri në një për dëmet, jo vetëm materiale, por edhe psikologjike të tyre. Fajtore në këtë rast është qeveria që firmos vendime pa e ditur se çfarë pasojash kanë. Dhe nga kjo përgjegjësi nuk shpëton askush në këtë qeveri, janë të gjithë bashkëfajtorë, disa për veprimet dhe të tjerë për heshtjen e tyre. Nuk e kuptoj si mund të justifikohen zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes. Është absurde të mendosh që një ministër nuk e di se në çfarë gjendje ndodhen fabrikat ku çmontohet municion. Po Kryeministri si ia lejon vetes këtë mungesë informacioni. Nuk e kuptoj se si mund të qeverisësh një vend, për qytetarët e të cilit nuk krijon dot asnjë standard sigurie për jetën. Nuk po përmend fare pjesën e varfërisë të shtuar te njerëzit. Nuk guxoj të mendoj se çfarë mund të na ndodhë nesër ne të gjithëve, apo secilit veç e veç, kur kuptoj që gjëma të tilla janë kaq afër.
Viola, 41 vjeç, ekonomiste
Ky është një tmerr. Ende nuk arrij të mbledh veten. A mund të përshkruhet me fjalë se çfarë fatkeqësie është kjo për ata njerëz, që përjetuan këtë traumë. Një mik i imi ka humbur dhe nuk i gjendet as trupi. Të paktën familjarët dhe dashamirësit të mund ta qajnë. Ne kërkojmë nga shteti që të mbajë përgjegjësitë e tij dhe të dënojë mjaft rëndë personat përgjegjës. Por cilit shtet ia kërkojmë këtë. Të na vijë ndonjë nga jashtë se këta që janë këtu janë të gjithë fajtorë. Po, po, fajtorë. Këta e lejuan që të ndodhte dhe jam e bindur se nuk ishin pak njerëz në qeveri që e dinin se çfarë ndodhte atje. Është pak të thuash se i kanë duart me gjak se ato lahen, por këta kanë edhe ndërgjegjen me gjak. Të kërkojnë falje publike dhe të japin dorëheqjen të gjithë.
Edliri, 24 vjeç, teknik
Ǒtë them. Ishte e paparë, si nëpër filma. Në fillim kur e dëgjova mendova se po talleshin me mua, por kur pashë shpërthimin në televizor s‘di ç‘të them, ngela pa fjalë. Përgjegjës? Shteti është përgjegjës, qeveria. Ata paguhen për këtë punë. Ministri Kryeministri, të gjithë. Trafik armësh thanë sot. Nuk më duket fare habi. Ata që janë atje lart, i bëjnë dhe këto, se i kanë në dorë "edhe ligjin dhe Maliqin". Ne po të bëjmë ndonjë gjë na e shtypin kokën, po vetë sa të duash bëjnë pisllëqe, pse kush i ndalon?
Fatmiri, 27 vjeç, emigrant
Erdha për të festuar Pashkët. Po ku të festosh? Këtu është të ikësh dhe të mos e kthesh më kokën mbrapa, po ç‘të bëjmë që nuk na lë njeri të marrim familjet me vete andej. Si jeton njeriu këtu? Këtu punë nuk ka, lekë nuk ka, vetëm frikë ka këtu. Kush të siguron, shteti? Sa i siguroi ata të shkretët që u dogjën dhe u përvëluan. Pashë njërin në televizor, i ishte prishur shtëpia, e gjitha në tokë. E kishte ngritur me lekë emigracioni. Kush ka qenë dhe e ka provuar, e di se si merren. Dhe thonë pastaj hajdeni investoni. Ku të investosh? Ky shtet ka marrë fund.
Afrimi, 67 vjeç, pensionist
Çfarë mund të bëhet më keq se kaq. Ǒtë bëjmë tani, të shtrihemi të tërë përpara Sali Berishës dhe të vdesim. A do kënaqet thua? Nxjerr atë ministrin dhe ikën ai. Po ky tjetri? Pa bukë na ka lënë, tani po i vdes njerëzit dhe me bomba. Ne jemi pensionistë kemi punuar një jetë të tërë dhe ça bëjmë i mbajmë sytë nga qielli, se gjë për të parë këtu s‘ka. Shikohej ai tmerr me sy. Po janë fëmijë, janë gra, janë familje të tëra. Ia shkatërroi dhe shtëpitë Sali Berisha dhe tani del e thotë se nuk dinte gjë ai, e kishin fajin amerikanët. Nuk i ha më populli këto. Një herë e një kohë po. Tani njerëzia të shohin. Di ta bësh këtë punë, mirë. Nuk di, i lë njerëzit pa bukë, pa ilaçe, pa shtëpi, i djeg me bomba ik tani, s‘ka më.
Afërdita, 54 vjeç, shitëse
Na ruajt Zoti, se sa për këta që kemi sipër kokës... Nuk kujtohet njeri për ne. Jemi të mbushur e të fryrë sa nuk ka se ku të shkojë më. Po ku të vesh, ku të mbytesh. I shikoja ata që i çonin në spital me barela, po fëmijët e shkretë çfarë faji kanë.
Qeveria e ka mendjen te qejfet e veta. Unë rri gjithë ditën këtu në majë të këmbëve, pa pension, pa asgjë. Venin e vinin politikanët, për çfarë i do, për asgjë nuk i ke. Kur u bënë zgjedhjet thanë e na premtuan. Po vetëm llafe. Ja ku janë tani çfarë kanë bërë. Ne që ishim, ca më keq jemi prapë. Unë jam shumë e mërzitur, kjo e fundit që ndodhi është shumë e rëndë. Nuk do ta hedhin lehtë këta. Të shohim.