Durrës, prangosen tre klandestinë kosovarë
Tre kosovarë janë prangosur, pasi tentuan të kalojnë kufirin me dokumente false. Niveli i lartë i papunësisë në Kosovë vazhdon të mbajë zgjuar dëshirën dhe përpjekjen për të emigruar me çdo kusht jashtë, si e vetmja zgjidhje për përmirësimin e situatës ekonomiko-financiare. Tre shtetas nga Kosova dështuan në këtë përpjekje të bërë gjatë fundjavës, ndërsa policia shqiptare vendosi arrestimin në flagrancë për dy prej tyre dhe hetimin në gjendje të lirë për një grua. Burimet policore bënë të ditur se shërbimet e policisë kufitare të komisariatit të portit evidentuan dhe proceduan penalisht tre shtetas, të cilët tentonin të kalonin kufirin nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Portit të Durrësit, duke përdorur dokumente të falsifikuara. Kështu, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Basri Bislimi, 40 vjeç, nga Kosova dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj bashkëshortes së tij, Sadije Bislimi, 39 vjeçe. Çifti u përpoq që të imbarkohej në tragetin e linjës Durrës-Bari, ndërsa kishte në zotërim pasaporta jugosllave të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara. Në të njëjtën ditë u arrestua në flagrancë dhe kosovari tjetër Artan Thaçi, 25 vjeç, i cili tentoi të kalojë kufirin me një pasaportë jugosllave dhe një leje qëndrimi zvicerane, të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara. Ndaj të treve nisi hetimi për falsifikim të letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave, si dhe falsifikimit të vulave, stampave apo formularëve vetëm për Artan Thaçin.