Shqiptarët mbjellin kanabis te "kopshti" i mbretëreshës angleze
Policia angleze ka shkatërruar një grup kriminal shqiptaro-vietnamez, të përfshirë në prodhimin dhe shitjen e lëndës narkotike kanabis. Për të kultivuar bimën e qejfit, ata kishin zgjedhur një zonë jo shumë larg kështjellës "Swindon", ku banon mbretëresha britanike Elisabeta II. Ftohtësinë e prangave të policisë e kanë provuar shtatë persona, katër shqiptarë dhe tre vietnamezë. Në mbarim të operacionit, policia tha se ky grup kriminal kultivonte kanabis në disa ferma përreth zonës Swindon. Shqiptarët e arrestuar janë Artan Veliu, 31 vjeç, Mustafa Duka, 25 vjeç, Aurel Kollabani, 25 vjeç dhe Elis Kollabani, 24 vjeç. Bashkë me tre vietnamezët, ata kanë shkuar përpara gjykatës rajonale me akuzat për prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike. Seanca gjyqësore e radhës do të jetë më 23 qershor. Vëllezërit Kollobani po gjykohen në gjendje të lirë. Grupet kriminale vietnameze janë të shquar për prodhimin e kanabisit nëpër shtëpi, ku rritjen e bimëve kanabis e kryejnë përmes dritave të fuqishme të cilat prodhojnë nxehtësi. Është hera e parë që policia shkatërron një grup me përbërje shqiptaro-vietnameze. Në të shkuarën, grupet kriminale shqiptare kanë mundur të fusin kanabis nga Italia apo Holanda nëpërmjet shoferëve grekë apo italianë. Disa vite më parë, rivaliteti mes shqiptarëve në kontrollin e tregut të kanabisit çoi në konfrontimin me armë, në zonën Palmers Green në Veri të Londrës, mes dy grupeve rivale, ku mbeti i vdekur Edmond Çullhai.