Vaji i ardhur nga Greqia analizohet përsëri
Edhe 24 orë kohë për të konfirmuar cilësinë e vajit grek që ka hyrë në tregun vendas nga pika doganore e Kapshticës. Ky është afati për një përgjigje përfundimtare nga ana e Inspektoratit të Cilësisë Ushqimore në Korçë për vajin e importuar nga firma korçare "Dessina Ballkan". Vaji i importuar nga Greqia, sipas përgjegjësit të inspektoratit Arben Gjata, po u nënshtrohet analizave të dyfishta, si nga Inspektorati i Bujqësisë dhe Ushqimit në kryeqytet, ashtu edhe nga drejtoria përkatëse në Korçë. Kampionet e vajit që janë marrë në momentet e para që ai është sjellë nga firma korçare do të krahasohen me ato që janë marrë së fundi nga inspektorati dhe me analizat laboratorike që janë kryer gjatë muajit prill. Arben Gjata thotë se, krahas procesverbaleve të kontrollit fillestar, janë rihapur kampionet e marra në vend në momentin e hyrjes për një kontroll të dytë dhe për analiza më të specializuara laboratorike. Sipas tij ka nisur edhe kryerja e analizave të reja dhe brenda ditës së mërkurë pritet të dilet në një përfundim të dytë mbi cilësinë dhe pastërtinë e këtij produkti. Ai tregon se kampionet që gjenden të vulosura në laborator u rihapën për analiza të reja, edhe pse nga kontrolli i parë vaji i importuar nuk ka rezultuar të jetë i kontaminuar apo i dëmshëm dhe me pasoja për shëndetin e konsumatorit. "Të gjitha kampionet e vajit që janë marrë në momentin e parë dhe që gjenden të vulosura në laborator bashkë me dokumentacionin shoqërues përkatës janë rihapur për t‘iu nënshtruar analizave të dyta. Elementët që përmban ky vaj nga analizat e para janë brenda parametrave dhe standardeve për konsum. Vaji i bllokuar në Greqi është konfirmuar se ka elementë si dioksina, por nga analizat e para nuk ka dalë e njëjta gjë për vajin që është hedhur në tregun e Korçës. Megjithatë për të siguruar konsumatorin, këto analiza do të ribëhen për një konfirmim të dytë", sqaron Gjata. Përgjegjësi i inspektoratit deklaron se në procesin përpunimit të vajit kryhet edhe pastrimi nga elementët e dëmshëm.