E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukës, pakujdesia djeg dy shtëpi

 

KUKES - Pakujdesia ka shkrumbuar një banesë dykatëshe në fshatin Ujmisht të Kukësit, ndërsa një tjetër në Tropojë është djegur për shkaqe që ende nuk dihen. Pasditen e së dielës në fshatin Ujmisht është djegur plotësisht banesa dykatëshe e Besim Koldashit, përkatësisht tre dhoma në katin e parë dhe dy në katin e dytë duke bërë shkrumb të gjitha orenditë. Sipas administratës së Komunës dëmi i shkaktuar llogaritet në rreth 20 milionë lekë të vjetra. Ndërsa policia lokale e cila po heton për ngjarjen pohoi dje se paraprakisht ka rezultuar që shkaku i zjarrit të jetë bari i thatë i depozituar në një nga mjediset e banesës. "Me ftohjen e motit amvisat kanë ndezur zjarr, por në oxhak ka pasur bar të thatë që ka marrë flakë shumë shpejt", pohoi dje një efektiv i policisë që po hetonte ngjarjen, duke sqaruar se gjithçka kishte ndodhur rreth orës 22:00 të mbrëmjes. Nga ky zjarr ka mbetur pa strehë dhe pa asnjë ndihmë një familje prej 10 anëtarësh. Ndihma e komunës prej 50 mijë lekësh dhe disa batanije të dhuruara nga të afërm janë krejt të pamjaftueshme për të pritur dimrin. Ndërkohë, një tjetër zjarr, pasditen e së dielës ka shkrumbuar një banesë në fshatin Begaj të Tropojës në pronësi të Murat Sulajt. Burime nga vendngjarja thanë se janë djegur katër dhoma të banesës, në të cilën në momentin e zjarrit nuk kishte familjarë. Për shkaqet ende nuk ka një raport zyrtar, por mësohet se policia ka hartuar dosjen për veprën penale të "shkatërrimit të pronës me zjarr", ashtu si edhe në rastin e Ujmishtit të Kukësit. Vetëm për dy muajt e fundit shkon në 12 numri i banesave të djegura në qarkun e Kukësit, kryesisht në zonat rurale.                  j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›