Durrës, qëllohet me armë makina e kandidatit të PS-së në Ishëm

Qëllohet me armë makina e kandidatit I PS-së për kryetar të komunës Ishëm Sulejman Ibrahimi. Sipas policisë ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit, në fshatin Kodër Draç Ishëm, pas një konflikti midis disa personave ndërsa janë identifikuar edhe autorët e ngjarjes.
Burime nga policia bëjnë me dije se shtetasit Shkëlzen Keqi 29 vjeç, dhe Hamdi Pasha 45 vjeç të dy banues në Thumanë Krujë, kanë kanosur me armë zjarri shtetasin S.I., i cili aktualisht është kandidat për Kryetar të Komunës Ishëm, subjekti politik PS si dhe më pas kanë qëlluar dy herë me armë zjarri në drejtim të automjetit të tij tip Volsvagen Polo me targa BC 320 YF, në kohën kur ky automjet ndodhej i parkuar në afërsi të vendit të ngjarjes dhe kur në të nuk ndodhej asnjë person.
Pas ngjarjes, dy autorët e dyshuar janë larguar me qëllim shmangien e hetimit ndërkohë që policia ka nisur kërkimin për kapjen e tyre dhe dokumentimit të plotë ligjor të ngjarjes.
Sipas policisë nga hetimet e deritanishme rezulton se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit për motive politike.
Ndërkohë materialet për dy autorët i kanë kaluar prokurorisë për veprat penale të kanosjes, mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake, shkatërrimit të pronës dhe prishjes së qetësisë publike.