Durrës, rreshjet përmbytin rrugët dhe kryqëzimet
DURRËS-Një pjesë e rrugëve dhe kryqëzimeve në Durrës janë përmbytur gjatë natës për shkak të shiut që vazhdon prej 12 orësh. Ndërkohë situata paraqitet e rënduar edhe në Portin e qytetit bregdetar.
Në orët e para të mëngjesit, sheshet pranë stacionit hekurudhor dhe stadiumit “Niko Dovana” kanë qenë të bllokuara nga uji, dhe kjo ka krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe kalimtarëve. Vështirësi në lëvizje janë vërejtur edhe në segmente prej 100-250 metra në rrugët Taulantia dhe Skënderbej. Studentët e universitetit “Aleksandër Moisiu” dhe nxënës të shkollave përreth kanë mbërritur në shkollë me autobusët e linjës, duke shmangur lëvizjen më këmbë, sepse në pjesë të veçanta uji ishte ngjitur mbi trotuare.
Shiu, që nisi mbrëmë rreth orës 21.00 dhe vazhdoi gjithë natën, herë herë në formën e stuhisë, ka krijuar probleme edhe në rrugët e Shkozetit dhe të plazhit.
Ndërkohë situata pritet të rëndohet ne Port. Pavarësisht se tragetet e linjës Bari-Durrës mbërritën sot paradite në Portin e Durrësit sipas grafikëve të parashikuar, ndërsa anijet e tonazhit të mesëm dhe të madh lundrojnë pa probleme drejt këtij porti, nga të dhënat sinoptike mësohet se gjatë natës pritet një keqësim i kushteve detare.
Burimet thanë se rreshjet e shiut kanë ndikuar në përmirësimin e kushteve detare dhe aktualisht era fryn nga jugperëndimi me forcë 4. Sipas të njëjtave burime, sot pasdite pritet të ankorohen pa probleme në port edhe tragetet “Riviera del Connero” dhe “Venezia”, të cilat janë nisur tashmë përkatësisht nga portet e Ankonës dhe Triestes. Në port pritet të ankorohen dhe tri anije tregtare, të cilat ndodhen në radën e jashtme të tij.
Burimet zyrtare nga kapiteneria e portit thanë se gjatë natës së ardhshme pritet të keqësohen kushtet detare dhe të ndryshojë gradualisht dhe drejtimi i erës, nga jugperëndimi, në veriperëndim. Shirat e bollshëm mungonin në Durrës dhe në rrethinat e tij që prej disa javësh.
Burimet thanë se deti do të jetë i trazuar gjatë gjithë ditës së enjte dhe se të premten paradite pritet një përmirësim i lehtë.
(d.b/BalkanWeb)