Durrës, sekuestrohen 102 kg kanabis sativa
Policia e Durrësit ka sekuestruar 102 kg kanabis sativa të fshehura në një makinë të parkuar në aksin rrugor Durrës-Tiranë. Sipas burimeve policore, ende nuk është arritur të zbulohen dhe identifikohen zotëruesit e lëndës narkotike. Patrullat e policisë ishin duke kontrolluar zonën e Maminasit dhe kanë parë të parkuar një automjet tip “Mercedes Benz”. Nga kontrollet e mëvonshme të kryera rezultoi se në mjet ishin të fshehura 102 pako, të cilat në brendësi kishin një lëndë të dyshuar të llojit kanabis sativa. Ende nuk ka asnjë arrestim në lidhje me sasinë e drogës së gjetur nga policia. Uniformat blu kanë nisur hetimet dhe po punojnë për identifikimin dhe arrestimin e zotëruesve të lëndës narkotike.
Zbulimi i drogës
Në mesnatën e datës 25 nëntor, shërbimet e policisë gjatë patrullimit në aksin rrugor Durrës-Tiranë (autostradë) dhe konkretisht në vendin e quajtur Maminas, kanë konstatuar një mjet tip “Benz 200”, ngjyrë gri të parkuar në anë të rrugës. Duke dyshuar se automjeti mund të ishte i vjedhur dhe më pas i braktisur nga autorët, është bërë transportimi i tij në ambientet e Drejtorisë së Policisë Qarkut. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e gjetur, u konstatua se në pjesën e bagazhit, të sediljes së prapme dhe të parme të automjetit, ndodhej një sasi e konsiderueshme pakosh. Nga numërimi i kryer rezultoi se ishin 102 pako të mbështjella me letër natriban. Nga kontrolli i kryer rezultoi se brenda tyre kishte lëndë narkotike të llojit kanabis sativa. Sipas burimeve nga policia, pesha e një pakoje ishte rreth 1 kg.
Hetimi
Policia e Qarkut të Durrësit ngriti menjëherë një grup pune për zbardhjen e ngjarjes. Drejtori i Policisë së Qarkut, Aleks Hajdari, u shpreh për “standard” se “po punohet intensivisht për gjetjen e personave që posedojnë automjetin e braktisur dhe atyre që mund të jenë poseduesit e sasisë së drogës së gjetur brenda tij”. Policia për arsye hetimi nuk ka bërë me dije rezultatet e hetimeve paraprake. Nga ana e saj, Prokuroria ka nisur hetimet për zbulimin fillimisht të pronësisë mbi mjetin dhe drogën e kapur nga policia. Deri tani dihet vetëm se “Benz”-i është i regjistruar në Tiranë, me targa të kryeqytetit.