Durrës, shoqatat e grave dhe pushtetarët, "pro" 30 % përfaqësimit grua
Shoqata e grave me probleme sociale në bashkëpunim me Zyrën barazisë Gjinore në Bashkinë e Durrësit, në kuadër të ditës ndërkombëtare të gruas, ka organizuar një seminar me temë ne gratë i bëjmë politikat realitet.
Në këtë seminar të pranishëm ishin kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, përfaqësues të pushtetit vendor Durrës, zv/ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale, Marjeta Zaçe si dhe gra të angazhuara në fusha të ndryshme. Kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, theksoi në fjalën e tij se prioritet për bashkinë e Durrësit mbetet punësimi i grave në administratë. Në vizionin tim dhe në prioritetet e mia kam pasur dhe do të kem fuqizimin e gruas. Për të treguar këtë gjë mund të marrim në konsideratë edhe numrin e grave të punësuara në institucionin që drejtoj, ku janë punësuar 109 gra, ndër të cilat 6 mbajnë pozicione drejtuese dhe 14 të tjera shefe sektorësh. Integrimi gjinor është një punë e vështirë dhe duhet filluar që nga sigurimi i marrëdhënieve të barabarta në familje, e deri në barazinë në strukturat vendimmarrëse. Gjithashtu është një risi që vlen për t'u përmendur në Qytetin e Durrësit, Zyra për Barazinë Gjinore që është hapur në bashki, e cila ka për qëllim dhe funksion të përmirësojë bashkëpunimin mes institucioneve dhe shoqërisë civile për adresimin e barazisë gjinore, të advokojë për të hartuar apo adaptuar programe të reja me qëllim krijimin e mundësive të barabarta për burrat dhe gratë, u shpreh Dako. Gjithashtu, ai vlerësoi se bashkia do të jetë gjithmonë e gatshme të promovojë iniciativa të ndërmarra nga gratë, për t'u krijuar mundësi afirmimi në jetën sociale dhe politike. Duke filluar që nga muaji shkurt është lançuar fushata për promovimin e gruas, e cila kulmon në këtë seminar. Pjesë e aktivitetit ishin gjithashtu edhe diskutimet mbi efektet e kuotës 30 për qind për përfaqësimin e grave në institucionet vendimmarrëse dhe politike.