Durrës, shpërndahen ndihma për romët e varfër në ditën e votimeve
Procesi i votimit në Qarkun e Durrësit ka nisur i qetë, por nuk kanë munguar shkeljet. Ndarje ndihmash ushqimore për votuesit e varfër në lagjet rome të Durrësit, shpërndarje 500-lekëshash për votuesit e moshuar, lejimi i votimeve familjare, kryesisht çifteve të bashkëshortëve mbi moshën e mesme dhe një lloj qëndrese ndaj futjes së gazetarëve në qendrat e votimit, janë vënë re në këtë qark. Njëkohësisht përdorimi i stilolapsave mikrokamera dhe USB, si dhe i llambave me ndriçim ultraviolet për verifikimin e vlefshmërisë së kartave të identitetit janë kthyer në përplasje mes komisionerësh socialistë e demokratë, që kanë reaguar në mbrojtje të votës së lirë e transparente dhe një procesi demokratik që i qëndron rigoroz ligjit. Në disa fshatra, si në Xhafzotaj të Rrashbullit, PD-ja ka ofruar shërbimin e transportit me makina për të gjithë ata që nuk e kanë gjetur veten në listën e zgjedhësve, duke i shoqëruar në gjykatë dhe risjellë në fshat. E ndërsa në disa qendra komisionerët e vonuar janë bërë shkas për vonesa në fillimin e votimit, përfshirë këtu dhe ndryshimin e emrave të tyre në momentin e fundit, në disa të tjera problemet janë shkaktuar nga mungesa e tamponit të bojës së vulës. Gjithsesi këto kanë qenë probleme të logjistikës që nuk e kanë zbehur nisjen e një procesi zgjedhor të qetë dhe pa probleme serioze. Me ndryshimet e fundit në listat e votuesve numri i atyre që mund të ushtronin të drejtën e votës dje në Qarkun e Durrësit ka qenë 290387 votues, të cilët i janë drejtuar 352 qendrave të hapura në të gjitha njësitë administrative të rretheve Durrës e Krujë, përfshirë këtu dhe ato të burgut të Fushë-Krujës dhe Durrësit. Ndërkohë të rinj me laptop, të caktuar nga forca të djathta politike, janë ofruar të orientojnë votuesit në qendrën e duhur. Ndonëse në dukje veprimi nuk ka qenë problematik, përkundrazi dukej në ndihmë të procesit, komunikimi i vrazhdë dhe kontaktet me votuesit, treguan se përveç orientimit për të gjetur qendrën e votimit, në këto pika të ngritura në hyrje të disa QV-ve bëhej dhe orientimi për ngjyrën e votës.