E Diel, 1 Nëntor 2026

Tepelenë, një fshat i tërë refuzon votimet

Procesi zgjedhor në Qarkun e Gjirokastrës ka kaluar i qetë, ndonëse janë shënuar disa parregullsi, që janë zgjidhur shpejt. Procesi i votimi ka nisur në kohë në të gjithë qarkun përveç dy qendrave të votimit, në fshatin Mezhgoran të Komunës Qendër, Tepelenë, ku materialet zgjedhore nuk janë tërhequr nga komisionerët e të dyja forcave politike të këtij fshati. Në shenjë proteste pas braktisjes së plotë të tyre nga shteti, banorët e fshatit kanë vendosur të mos votojnë. Ndërsa në fshatin Gllavë, të Tepelenës, qendra e votimit nuk u lejua fillimisht të çelej në shkollën e fshatit nga komisionerët e PD-së, pasi ata kërkonin një ambient privat që ishte pronë e njërit prej anëtarëve të PD-së. Pas shumë debatesh, qendra e votimit filloi së funksionuari në shkollën e fshatit, ashtu siç ishte e parashikuar edhe nga KQZ. Ndërkohë kandidati i PS-së, për Qarkun e Gjirokastrës, Vangjel Tavo, ka kërkuar praninë në Lazarat të misionit OSBE-ODHIR. Tavo ka shprehur shqetësimin se duke u nisur nga përvoja e zgjedhjeve të kaluara, koha e përfundimit të votimeve është çasti i manipulimit të zgjedhjeve në Lazarat.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›