E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryebashkiaku Dako, Durrës: Kemi gati projekte madhore në kënetë

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka prezantuar 4 kandidatët për deputet të Partisë Socialiste në zonën e Kënetës. Gjatë fjalës së tij, ai është shprehur për bashkëpunime të suksesshme për përmirësimin e infrastrukturës, në këtë zonë. Kryetari i bashkisë foli për prioritetet e rikonstruktimit të Durrësit, ku duke vlerësuar punën e bërë deri tani prezantoi 4 projekte të rëndësishme për infrastrukturën e zonës së Kënetës. Njëri prej deputetëve, Edison Konomi ka theksuar se fal projekteve kjo zonë, do të transformohet tërësisht. Ai e ka quajtur politikën në pushtet një politikë boshe dhe mashtruese. Ai u bëri thirrje banorëve të zonës të votojnë masivisht për programin e Partisë Socialiste, si e vetmja zgjidhje për më shumë punësim,legalizime për shtëpitë tona,rregullime rrugësh etj. Ndërsa kandidatja tjetër Klodiana Spahiu u shpreh se do të punojë me të gjitha forcat për të qenë mbështetja më e madhe e banorëve. Me qeverinë e re ne do t'i japim zgjidhje problemeve tuaja. Partia Socialiste është e bindur se zhvillimi i rajoneve bëhet duke siguruar që çështjet e pronësisë publike dhe private të jenë të zgjidhura, u shpreh ajo. Kurse, Gazmend Kabashi në fjalën e tij u ndal tek premtimet e pambajtura të qeverisë aktuale për arsimin dhe uljen e papunësisë, ku theksoi se do ti jepet mbështetje rritjes së shërbimeve të formimit profesional si masë edhe për uljen e papunësisë dhe varfërisë. Arsimi është forca ndryshuese kryesore për zhvillimin social, ekonomik dhe kulturor të vendit, dhe për integrimin e tij në Europë, theksoi ai. Sekretari organizativ i Partisë Socialiste në Durrës dhe njëkohësisht kandidati për deputet Gëzim Agasi u shpreh se ka ardhur koha që Shqipëria të hapë një faqe të re të zhvillimit të saj që përfaqësohet denjësisht nga Edi Rama. Sipas tij, vetëm me fitoren e Partisë Socialiste më datë 28 qershor do të zgjidhen problemet jetike të zonës së Kënetës, si ai i ujit të pijshëm. Kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste, Durrës Klodiana Saphiu , Edison Konomi, Roland  Xhelili, Ledion Lako, zhvilluan takime edhe me banorët e lagjes 17 në qytetin bregdetar. Ata u njohën nga afër me problemet e zonës dhe u angazhuan për zgjidhjen konkrete të tyre dhe për përmirësimin e cilësisë së jetës pas 28 Qershorit. Në bisedat me biznesmenët kandidatët u njohën me vështirësitë që po kalon biznesi duke paraqitur programin konkretë të Partisë Socialiste për kapërcimin e krizës ekonomike dhe masat për zhvillimin e mëtejshëm të biznesit, sidomos atij të vogël. Gjithashtu kandidatët bënë një vizitë në qendrën  e aplikimit të kartave në po këtë zonë dhe takuan banorë të cilët aplikonin për kartat e identitetit. Disa nga banorët e kësaj zone u ankuan se kishte parregullsi në dhënien e kartave, siç ishte rasti i një qytetari i cili kishte dy muaj që kishte aplikuar dhe nuk e kishte marrë kartën për shkak të bindjes së tij politike si i majtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›