E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, simbolet e djallit alarmojnë besimtarët e krishterë

Satanizmi i pranishëm në Durrës. Ndërsa në Elbasan ka nisur të bëhet e pranishme nëpërmjet propagandës së vet një parti naziste, në qytetin bregdetar dhe pikërisht në zonën më të frekuentuar të tij, janë shfaqur simbolet e antikrishtit, të cilat kanë lënë një shije të keqe te mjaft qytetarë. Prania e simboleve të satanizmit dhe mallkimi i shkruar që i drejtohet Jezu Krishtit, ka ngjallur reagime individuale mes komunitetit të besimtarëve të krishterë në Durrës, veçanërisht komunitetit ungjillor. Simbolet dhe fyerjet drejtuar Jezusit janë shkruar prej disa kohësh mbi Monumentin e Rezistencës Nazifashiste, që është vendosur në fund të viteve ‘80 në shëtitoren bregdetare të Durrësit. Kjo shëtitore është më e frekuentuara në qytet, jo vetëm nga durrsakët që bëjnë në të shëtitjen tradicionale, por edhe nga pushuesit a turistët vendas e të huaj që vizitojnë qytetin bregdetar. Diagrama e vizatuar e yllit me kokë poshtë, që konsiderohet si shenja simbol e satanizmit, si dhe numri 666 që në Bibël i referohet antikrishtit, kanë krijuar idenë te një grup njerëzish se sektet e errëta të djallit kanë nisur të veprojnë në qytet dhe se ndikimi i tyre te të rinjtë do të jetë i frikshëm. Shqetësimi u bë prezent për gazetën nga disa besimtarë ungjillorë të Durrësit, ndërkohë që të rinj të ndryshëm, të kontaktuar për praninë dhe domethënien e simboleve të vizatuara, shprehen indiferentë ndaj tyre. Megjithatë, ka edhe nga ata që janë kureshtarë të dinë më shumë për to dhe atë që satanizmi përfaqëson si pjesë kundërshtuese e besimit te Perëndia.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›