Elbasan, traktet naziste fusin në punë edhe prokurorinë
Që ditën e publikimit në mediat e shkruara dhe ato vizive rreth disa trakteve të hedhura në emër të Partisë Naziste Shqiptare, policia ka nisur hetimet rreth këtij fakti. Sipas burimeve policore, mësohet se hetimet kanë nisur nga sektori i antiterrorit, nga grupe specialistësh përkatës. Nga ana e saj, edhe Prokuroria e Rrethit të Elbasanit ka çelur çështjen penale mbi bazën e këtij fakti, tani për tani vetëm si dokument dhe është duke i kërkuar policisë të sigurojë prova të mjaftueshme rreth autorëve të këtij trakti. Katër ditë më parë, trakte naziste u shpërndanë në qendër të qytetit. Mësohet se policia po heton në dy pista kryesore. Fillimisht po punohet të sigurohet autorësia e materialit që përmban ide urrejtjeje mes popujve në Ballkan dhe pista e dytë dyshuese, importimi i këtij materiali nga ndonjë rreth tjetër. Mund të thuhet se nga ana e policisë nuk ka munguar edhe bashkëpunimi me median rreth investigimeve të saj, për të përfituar një investigim reciprok, kur bëhet fjalë për çështje që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare dhe parimet kushtetuese. Ndërkohë, dje në Elbasan ka mbërritur edhe një grup specialistësh nga Tirana, kontaktet e të cilit kanë qenë me drejtues të lartë të policisë vendore për bashkërendim të punës për zgjerimin e hetimeve dhe dokumentimin e ngjarjes që ka si bazë dokumentare Elbasanin, por që edhe mund të ketë mbërritur deri këtu nga një rreth tjetër. Hetimet vazhdojnë dhe është ende herët për të konkluduar rreth kësaj çështjeje, pasi edhe organet hetimore mbeten tepër të rezervuara në dhënien e informacionit.