E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia "lan duart" me Xhindin

 

Policia e Shtetit duket se i konsideron të mbyllura detyrimet e saj në lidhje me zbardhjen e vrasjes së deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi. Në kohën kur dosja është ende pa autor, edhe pse janë kryer qindra veprime hetimore, zyrtarët e policisë rezervohen në dhënien e pistave apo informacioneve konkrete. Larg vëmendjes së publikut, analizat për ecurinë e hetimit kanë qenë thuajse të përditshme edhe kohët e fundit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në policinë e Fierit, ku po kryhen veprimet kryesore procedurale. Drejtori i Hetimit në zyrat qendrore të Policisë në Tiranë, Nikolin Bala, mësohet se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Prokurorinë. Nga ana tjetër, policia e Fierit është mbajtur në kontakt të pandërprerë nga Drejtoria e Përgjithshme në lidhje me ecurinë e hetimeve. Megjithatë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, në një prononcim për "Vizion Plus" ka pohuar dje se "nga ana e policisë janë kryer të gjitha veprimet hetimore, ndërsa konkluzionet do të bëhen të ditura në një tjetër moment". Pak ditë më parë, javën që shkoi, kryepolici Prençi ka zhvilluar një takim me Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, larg vëmendjes mediatike. Automjeti i markës "Wolkswagen Tuareg" ku ndodhej kryepolici Prençi ka hyrë me shpejtësi në oborrin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe më pas zyrtarët e dy institucioneve kanë diskutuar në detaje ecurinë e hetimit për vrasjen e deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit deklarojnë se strukturat e rendit kanë kryer të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe procedurale. Sipas tyre, hetimi i ngjarjes është asistuar që në momentet e para nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërsa grupi i përbashkët hetimor ka kryer të gjitha veprimet e mundshme. Nga ana tjetër Policia e Shtetit që në ditët e para shpalli një shpërblim të bujshëm prej 250 mijë euro për ata persona që me telefonatat e tyre në numrat 0694103251 dhe 0694107507 do të ndihmonin zbulimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes. Një numër i madh telefonatash janë realizuar në këta numra, megjithatë informacionet e dhëna nuk ndihmuan në identifikimin e autorëve të vrasjes së deputetit. Në rrugë jozyrtare grupi i hetimit ka deklaruar se po verifikon tri pista: ajo që bën fjalë për vrasje për cilësi të veçanta të deputetit, pista e dytë është ajo e konflikteve të mundshme personale dhe private, ndërsa versioni i tretë në hetim është ai i një mosmarrëveshje të mundshme për pronat në Roskovec, ku banonte deputeti ose në fshatin e tij të lindjes Kurjan, ku ai kishte në pronësi disa ullishte. Rreth 80 persona nga fshati në fjalë dhe nga Roskoveci janë shoqëruar në ambientet e policisë së Fierit dhe janë marrë në pyetje, megjithatë deklarimet e tyre nuk dhanë rezultat për hetimin e çështjes. Së fundi mësohet se grupi i hetimit është përqendruar në veprime të natyrës operative, me qëllim identifikimin e të dyshuarve për vrasjen e  Xhindit.        tr.so

Atentati që ekzekutoi 49-vjeçarin
Deputeti Fatmir Xhindi u ekzekutua me nëntë plumba në derën e shtëpisë së tij në Roskovec, zona elektorale e tij në Fier. Vrasja ndodhi në orën 21:15 të mbrëmjes së 2 majit 2009. Persona të paidentifikuar kishin zënë pritë në anën tjetër të rrugës dhe menjëherë sapo deputeti zbriti nga makina në oborrin e banesës së tij qëlluan me breshëri plot 15 herë, duke ekzekutuar 49-vjeçarin me 9 plumba kallashnikovi.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›