Dy miqtë sherr për partitë në Kamëz, një i plagosur në spital
TIRANE - Para një viti kishin bërë një debat të fortë për bindje të kundërta politike dhe që prej asaj kohe nuk flisnin me njëri-tjetrin, edhe pse kishin një miqësi 20-vjeçare. Por dje, Halil Prengzi dhe Naim Rama kanë rastisur në të njëjtin lokal në Institutin Bujqësor në Tiranë dhe kanë rihapur debatin e një viti më parë, të favorizuar edhe nga konsumimi i tepërt i pijeve alkoolike. Fillimisht debati ka nisur nga tavolina në tavolinë, me ironi e më pas është kthyer me fyerje dhe kërcënime. Kjo situatë ka zgjatur disa minuta dhe më pas dy protagonistët kanë dalë jashtë dhe kanë filluar të zihen me grushte. Në gjaknxehtësi e sipër, Halil Prengzi, 49 vjeç, ka nxjerrë një thikë dhe e ka goditur bashkëmoshatarin e tij, Naim Rama, duke e lënë të plagosur. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë efektivat e Komisariatit nr. 5, të cilët kanë arrestuar në flagrancë autorin e plagosjes, Prengzin. Ndërkohë që i dëmtuari është dërguar në Spitalin Ushtarak, ku aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas burimeve nga policia, motivi i kësaj ngjarje është cilësuar banal, pasi edhe konflikti i një viti më parë mes tyre ka qenë i tillë. I arrestuari nuk ka pranuar të ketë pasur asgjë personale me të plagosurin, madje është shprehur që e ka pasur mik të vjetër, që para 20 vitesh kur jetonin në Tropojë. Miqësia, sipas dëshmisë së tij, ka vazhduar edhe në Tiranë, ku ata ishin fqinjë në Kamëz. Por ka qenë një konflikt banal që ka ndodhur para një viti mes tyre, që është rikthyer edhe dje, por ata kanë qenë të dy në gjendje të dehur. e.d