Trukimet e ndeshjeve, FSHF-ja nis hetimet
Jetmir Halilaj
Federata Shqiptare e Futbollit ka premtuar se do të nisë hetime për skandalin e ndeshjeve të fundit, ku disa ekipe kanë toleruar hapur në fushën e lojës, duke paracaktuar rezultatet, pra duke trukuar ndeshjet në Kategorinë Superiore. Inspektorët e Disiplinës do të hetojnë ndeshjen Shkumbini-Bylis 0-2 të javës së kaluar, por edhe disa takime të tjera. U desh alarmi i dhënë nga mediat që FSHF të zgjohej nga gjumi. Megjithatë, reagimi i institucionit të futbollit, edhe kësaj radhe duket se ka karakter më tepër formal, se sa për të treguar se vërtetë do të vërë para përgjegjësisë, ata që mund të kenë shkelur rregullat e garës. “FSHF i bën thirrje të gjithë faktorëve që ndikojnë në rritjen e nivelit të futbollit në Shqipëri, që të bëjnë maksimumin për të ruajtur vlerën e lojës, cilësinë dhe “Fair Play”, citohej në deklaratën për shtyp të FSHF-së. Ndërkaq, pohimi i presidentit të Shkumbinit, Xhavit Ismailit për “Panorama” se skuadra peqinase kishte toleruar ndaj Bylisit, ka detyruar Federatën të mbajë një qëndrim. “FSHF ka dërguar inspektorët e saj të Disiplinës, për të kontrolluar garën dhe për të sjellë materiale të vlefshme, të cilat do të merren në konsideratë nga komisionet përkatëse, sidomos për ndeshjen Shkumbini–Bylis por edhe për disa ndeshje të tjera, duke premtuar transparencë”, thuhej në komunikatën për shtyp e Federatës.
Problemet
U bënë disa javë që flitet për rezultate të paracaktuara dhe lënie ndeshjesh në Kategorinë Superiore, por Federata Shqiptare e Futbollit vendosi të reagojë pikërisht një javë para mbylljes së sezonit. FSHF pretendon se e ka luftuar gjatë gjithë kohës këtë fenomen, por në fakt nuk ka asnjë rezultat konkret, pasi asnjë ekip apo futbollist i kampionatit shqiptar nuk është ndëshkuar për trukime ndeshjesh. Federata pretendon se kampionatet e dy sezoneve të fundit janë më të bukurit dhe më të ndershmit e dy viteve të fundit, por faktet tregojnë të kundërtën. “Konfirmojmë, që është pranuar nga të gjithë, që dy-tre vjetët e fundit, kanë qenë më të bukurat dhe më të ndershmet e arritura në këto 20 vjet”, shkruhej ndër të tjera në deklaratën për shtyp të FSHF-së. Drejtuesit e institucionit të futbollit iu kanë bërë thirrje të gjithë faktorëve që ndikojnë në sportin e top-këmbës që të kontribuojnë për korrektësi dhe ndershmëri, por nga ana e saj, FSHF nuk u ka kërkuar asnjëherë mbështetje apo ndihmë apo asistencë organeve juridike në Shqipëri për të ndihmuar në hetimin dhe zbardhjen e shumë ndeshjeve të përfolura.
Sejdini bën kërkesë-padi në Federatë
Pas shumë debateve dhe polemikave, një nga drejtuesit më të lartë të ekipit të Elbasanit, Kryebashkiaku Qazim Sejdini, iu drejtua dje zyrtarisht FSHF-së me një kërkesë-padi, ku kërkon hetim rreth ecurisë së ndeshjeve Besa-Apolonia dhe Shkumbini-Bylisi. Sejdini, i cili është njëri prej aksionerëve kryesorë të klubit të Elbasanit, që pas arrestimit të Lazes, këmbëngul në kërkesën e tij se ka prova të mjaftueshme dhe bindëse mbi trukimin e këtyre dy ndeshjeve që ndikuan në nxjerrjen e Elbasanit nga Kategoria Superiore. Kryetari i bashkisë beson se FSHF-ja do të veprojë dhe do të vërë para përgjegjësisë dhe drejtësisë të aktorëve që çuan në trukimin e këtyre ndeshjeve. Më tej Sejdini ka shprehur besimin se do të marrë një përgjigje zyrtare fare shpejt nga organet kompetente të FSHF-së, me qëllim që Elbasani të mos e braktisë ndeshjen e ditës së fundit të kampionatit, ndaj Teutës. Kryebashkiaku kishte deklaruar që të dielën se do të merrte masa për pazaret që u zhvilluan haptazi gjat javëve të fundit e që ndikuan në penalizimin e Elbasanit. Drejtuesi i klubit verdheblu është shtyrë më shumë për të bërë kërkesën edhe pas një deklaratë të bërë nga presidenti i Shkumbinit, Xhavit Ismaili për “Panorama”, ku shprehej haptazi se skuadra e tij kishte toleruar.