U kap me drogë, 11 vjet burg kazakistanasit
TIRANE - Gjykata për Krimet e Rënda dënoi dje me 11 vjet burg emigrantin kazakistanas në Greqi, Aleksandër Zeimidis, për trafikimin e 13 kilogramëve drogë. Vendimi i lexuar nga kryesuesi i togave të zeza në këtë seancë, gjyqtari Gurali Brahimllari, shpalli fajtor 45-vjeçarin për veprën penale të "trafikut të narkotikëve". Në seancën e djeshme avokati mbrojtës i Zeimidis pretendoi pafajësi për klientin e tij. Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare të mbrojtjes përpara gjykatës, avokati tha se klienti i tij nuk ishte në dijeni të drogës së fshehur në automjetin e tij. "Droga ishte e fshehur në dyshemenë e makinës, ku pasi i ishte salduar lart një llamarinë, mbi të ishte edhe tapiceria dhe diktimi i saj ishte i pamundur", tha avokati. Pasi dëgjoi pretendimet e të dyja palëve dhe konsideroi të përfunduar shqyrtimin gjyqësor, gjykata vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit dhe dënimin e tij me 11 vjet heqje lirie. Aleksander Zeimidis u arrestua nga policia shqiptare në pikëkalimin e Kakavijës në prill të vitit të kaluar. Në momentin e arrestimit ai ishte në drejtimin e automjetit "TOYOTA", me targa IHP 8033. Ai ishte duke u larguar nga territori shqiptar në drejtim të atij grek, kur një kontroll policor gjeti dhe sekuestroi në automjetin e tij një sasi prej 13 kilogramësh drogë. Sasia e gjetur përbëhej nga 7 kilogramë lëndë narkotike e llojit heroinë dhe 6 kilogramë e llojit kanabis sativa. Ditën e arrestimit Zeimidis ishte nisur nga kryeqyteti në drejtim të shtetit grek, duke zgjedhur pikëkalimin kufitar të Kakavijës. Por pas informacioneve operative të policisë së Gjirokastrës, se në automjetin e 45-vjeçarit kishte drogë në ambientet e doganës automjeti iu nënshtrua një kontrolli të imtësishëm. Kontrolli zbuloi në dyshemenë e pjesës së pasme të automjetit drogën. Në momentet e evidentimit të sasisë narkotike, kazakistanasi me banim në Greqi nuk pati treguar shenjë nervozizmi përpara uniformave blu. Sipas organit të akuzës, Zeimidis e kishte siguruar lëndën narkotike në vendin tonë dhe kishte si qëllim trafikimin e saj në drejtim të Greqisë. ar.ba