“Kumarxhiu” Kuzhe përçan Federatën
Kur kanë ngelur më pak se 20 ditë para ndeshjes kundër Portugalisë, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2010, Shqipëria vazhdon të jetë pa trajner. Drejtuesit e FSHF-së, megjithëse kanë premtuar vazhdimisht se kjo çështje do të zgjidhet shpejt, nuk kanë arritur ta realizojnë këtë. Favoriti për të marrë drejtimin e përfaqësueses shqiptare është kroati Josip Kuzhe, një teknik me aftësi shumë të mira dhe shumë i vlerësuar jo vetëm në vendlindje, por në shumë vende të Evropës lindore. Megjithatë, 56 vjeçari, i cili pëlqehet shumë nga Duka, nuk ka marrë miratimin e të gjithë “kupolës” së Federatës. Një pjesë e mirë e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv janë shprehur kundër emërimit të tij, pasi Kuzhe në të kaluarën ka pasur probleme të theksuara me kumarin. Disa nga zyrtarët e Federatës janë kundër emërimit të tij, për shkak se kjo do të krijonte një klimë të tendosur në raportet mes Federatës dhe sportdashësve. Për çdo disfatë apo dështim të Kombëtares, do të aludohej se ndeshja mund të ketë qenë e trukuar padyshim që e kaluara e Kuzhesë, do të lakohej shumë herë. Ndërkaq, situata e krijuar nuk favorizon aspak edhe klimën në radhët e skuadrës. Ky vërtet ishte një sezon i dështuar për Kombëtaren shqiptare, por kjo nuk do të thotë se të tria ndeshjet e mbetura duhet të llogariten të humbura.