Durrës, të djathtët rrëzojnë dy herë Dakon në Këshillin Bashkiak
DURRES - Tensionohet situata në Këshillin Bashkiak të Durrësit, ku pas miratimit të paketës së re fiskale dhe të listës që përfiton 48 apartamentet sociale, këshilltarët e PS-së kanë braktisur dy herë seancën. Votat e këshilltarëve të PD-së dhe të LSI-së kanë mbrojtur bizneset durrsake, duke rrëzuar në votim, propozimin e kryetarit Vangjush Dako, i cili kërkonte taksa më të rritura. Sipas Dakos taksat e shtuara do të kontribuonin direkt në përmirësimin e të ardhurave të bashkisë. Në këtë mënyrë këshilltarët demokratë, së bashku me ato të LSI-së, të cilët kanë në total 28 kartonë, kanë shpëtuar mbi 3 mijë biznese të vogla nga ndryshimet në paketën fiskale, duke lënë në fuqi atë të një viti më parë. Rrëzimi i propozimit "Dako" nga të djathtët solli edhe largimin e parë të socialistëve nga Këshilli Bashkiak i Durrësit. Pas një ndërprerjeje prej 30 minutash socialistët rikthehen në parlamentin e Durrësit, për të diskutuar dhe votuar një tjetër çështje delikate, atë të listës së përfituesve nga ndërtimi i banesave sociale. Bëhet fjalë për dy pallate të ndërtuara në Shkozet katër vjet më parë, të cilat po shkonin në degradim pasi banorët nuk kishin hyrë akoma si pasojë e burokracive të bashkisë. Demokratët dhe këshilltarët e LSI-së, shfaqën vendosmërinë për t'i dhënë fund kësaj telenovele, pasojat e së cilës po i vuanin familjet e pastreha. Në sallë ndodheshin 25 këshilltarë të djathtë, kundrejt një minorance të ndjeshme të socialistëve. Këta të fundit me pretendimin se votimi për të pastrehët kërkonte minimumin e 3/5-ve të kartonëve (27 vota) synuan ta shpallnin atë të pavlefshëm. Por sipas demokratëve dhe aleatëve të tyre votimi me mazhorancë dërrmuese 25 vota është më se i vlefshëm. Në këtë mënyrë të djathtët i dhanë fund trokitjeve të dhjetëra familjeve në dyert e bashkisë së Durrësit, të cilat prisnin marrjen e çelësave. Votimi i dytë solli largimin sërish të socialistëve, të cilën nuk u kthyen më në Këshill.Largimi i socialistëve bllokoi edhe privatizimin e kabinave të plazhit nga përdoruesit e tyre, çështje për të cilën demokratët e kanë ngritur zërin me forcë në favor të të pastrehëve. Ndërkohë buxheti është shtyrë për një datë të pacaktuar. o.u