Tregtari i zhdukur, gjendet makina
Etleva DeliaRreth 23 ditë pas denoncimit për zhdukjen e pronarit të një lokali nga Tirana, Arjan Bulku, forcat e policisë kanë arritur të gjejnë makinën e tij në një zonë periferike të kryeqytetit. Automjeti tip "Golf 3", me targë TR 19 47 S dhe me ngjyrë të verdhë, është gjetur dy ditë më parë në një prej parkingjeve të pallateve tek zona e njohur si "Fresku" në Tiranë. Burime nga grupi hetimor thanë se pas kontrollit të imtësishëm të automjetit të 39-vjeçarit Bulku, nuk u gjet asnjë objekt që mund të ndihmonte policinë për të zbuluar vendndodhjen e tij. Makina u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, deri sa të përfundoje hetimi i ngjarjes. Ndërkohë familjarët e tij, që banojnë në lagjen e njohur si "Qyteti i Nxënësit", pranë Kombinatit në Tiranë, u shprehën për gazetën se ende nuk kanë asnjë informacion për vendndodhjen e babait të 3 fëmijëve dhe se telefoni i tij vazhdimisht rezulton i fikur. Por në të njëjtën kohë edhe pse mund të ketë marrë një numër të ri celulari, telefoni i "të zhdukurit" mbahet në përgjim nga policia dhe sipas të dhënave paraprake, dyshohet se ditët e fundit Arjan Bulku mund të jetë larguar në drejtim të Italisë. Prova për largimin me dëshirë të 39-vjeçarit, për grupin hetimor janë disa dëshmi mjaft të rëndësishme, por edhe një dokument i Drejtorisë së Tatimeve të Tiranës, që Bulku kishte marrë disa ditë para se "të zhdukej". Sipas burimeve nga policia mësohet se Arjan Bulku kishte disa detyrime tatimore të pashlyera prej kohësh që mund t'i rrezikonin mbylljen e lokalit dhe që mënyra e zgjedhur prej tij duke ikur pa lënë gjurmë. Por gjithashtu mësohet se godina, të cilën ai përdorte si një lokal, sipas Inspektoratit Ndërtimor rezulton pa leje ndërtimi dhe rrjedhimisht do të shembej. LARGIMI "ME DëSHIRë"Dy ditë pas denoncimit të familjarëve në Komisariatin nr.6 të policisë në Tiranë, 39-vjeçari "i zhdukur" Arjan Bulku dyshohet se është parë në lagjen Kombinat nga një i afërm i tij. Menjëherë pas kësaj dëshmie, kanë qenë nipi i tij, i cili ka deklaruar për policinë se bashkë me të vëllain e kanë parë Bulkun sërish në Kombinat, duke blerë një gjel deti pak para festave të fundvitit. Burime nga policia thanë se një tjetër dëshmitar ka deklaruar se e ka parë "të zhdukurin" më datë 30 dhjetor 2009, duke u futur në një motel në rrugën e Ndroqit në Tiranë, në shoqërinë e një femre. Këto dëshmi jo vetëm që kanë qenë një provë e rëndësishme për policinë, për të përforcuar dyshimet për largimin me dëshirë nga banesa të 39-vjeçarit, por kanë bindur edhe të afërmit e tij që të tregojnë konfliktet në familje dhe problemet me tatimet, që ai kishte para se të largohej. Burime nga policia thanë se të afërmit e Arjan Bulkut kanë treguar se kohët e fundit ai kishte pasur zënka të vazhdueshme me bashkëshorten, e cila kishte dyshime se ai e tradhtonte.