Korçë, nxënësit në protestë, pezullohet 3 ditë mësuesja
KORçE/ GEZIM ASHIMIPërshkallëzohet protesta e nxënësve të shkollës së mesme "Raqi Qirinxhi" në qytetin e Korçës, pas ankesave të tyre për vlerësimin dhe metodën e mësimdhënies së mësueses së lëndës së Filozofi-Sociologjisë. Pas situatës së krijuar një grup specialistësh të Drejtorisë Arsimore të rrethit mbërritën në këtë gjimnaz nga ku vendosën të pezullojnë nga mësimdhënia për tre ditë mësuesen Violeta Tici deri sa ata të dalin në një konkluzion në lidhje me atë që ndodhi. Dje procesi mësimor është bojkotuar thuajse plotësisht, si nga maturantët ashtu edhe nga nxënësit e viteve të para dhe të dyta. Nxënësit kanë dalë nga klasa sapo mësuesja Violeta Tici, ka hyrë për të zhvilluar orën e parë të mësimit. Pas tyre nxënës të klasave të tjera kanë dalë nga mësimi duke mbushur oborrin e shkollës. Rreth 650 nxënës që ndërprenë masivisht procesin mësimor, dolën madje edhe me parulla dhe thirrje për largimin e mësueses së lëndës së filozofi-sociologjisë. Sipas tyre, mësuesja Violeta Tici jep vlerësime negative duke iu rrezikuar notën për Maturën Shtetërore. Por ndërkaq, ndryshe nga dita e parë e protestës ku ata e vlerësonin profesionalizmin e Ticit, dje ata shprehën pakënaqësi edhe për mënyrën e mësimdhënies së saj dhe kërkesat për dije në këtë lëndë. Kjo gjendje e krijuar, vuri në lëvizje Drejtorinë Arsimore të rrethit të Korçës. Një ekip inspektorësh të saj, mbërritën në shkollën e mesme "Raqi Qirinxhi" për të verifikuar atje gjendjen. Ndërsa nxënësit qëndronin në oborrin e shkollës dhe protestonin me parulla ndaj mësueses, ekipi i inspektorëve zhvilloi një takim të mbyllur me stafin drejtues të këtij institucioni arsimor, në të cilën ishte e pranishme edhe mësuesja si dhe përfaqësues të qeverisë së nxënësve. Drejtori i Drejtorisë Arsimore të rrethit Andrea Mano, u shpreh pas këtij takimi se është gjetur një zgjidhje e ndërmjetme derisa të sqarohet plotësisht situata e krijuar. Sipas tij, në këtë takim është vendosur që Violeta Tici të largohet përkohësisht nga kjo shkollë dhe në vend të saj të caktohet një tjetër mësuese për të dhënë lëndën e filozofi-sociologjisë. "Zëvendësimi i përkohshëm i mësueses është vendosur për tre ditë, derisa ekipi i inspektorëve të Drejtorisë Arsimore të kryejë verifikimet e duhura, nëse pretendimet e nxënësve janë apo jo të bazuara dhe nëse ata kanë të drejtë për protestën e tyre me braktisje të mësimit" u shpreh Mano. Por nxënësit janë shprehur se do të bojkotojnë edhe në ditët në vazhdim mësimin në rast se rikthehet si mësuese e lëndës së filozofi-sociologjisë Violeta Tici. Vetë mësuesja, në kohën që është zhvilluar protesta, mësohet se ka dalë në dritare në një nga klasat e shkollës, dhe ju është drejtuar atyre me fjalët: "Jeni ende fëmijë, por unë do të punoj me ju që të fitoni njohuritë e duhura dhe të zëvendësoni protestën me përgatitjen e njohurive". Tici, në një prononcim për gazetën u shpreh se kërkon më të mirën nga nxënësit në lëndën e saj dhe nuk mund të japë vlerësime që nuk i meritojnë. "Raqi nuk të do" ka qenë një nga parullat e nxënësve, duke lënë të kuptohet nga ana e tyre se nuk do të pranojnë të kenë përsëri në semestrin e dytë të njëjtën mësuese. MësuesjaVioleta Tici ka mbaruar fakultetin në degën e Filozofisë. Pas përfundimit të studimeve rreth 22 vite më parë, ajo është emëruar si mësuese e kësaj lënde në gjimnazet e Korçës, ku një pjesë të konsiderueshme të viteve të mësimdhënies ajo i ka kaluar në shkollën "Raqi Qirinxhi". Në vitin 2005 deri në muajt e fundit të 2009-ës, mësuesja Tici ka punuar në pozicione drejtuese në Drejtorinë Arsimore të rrethit. Pak muaj më parë ajo u riemërua sërish në këtë shkollë duke zëvendësuar një mësuese, e cila sapo kishte dalë nga auditoret e universitetit. Gjithashtu mësuesja Tici po ndjek në Tiranë edhe një master për Psikologji-Sociologji dhe Komunikim.