Durres, vdekja e foshnjave binjake, policia nis hetimin
DURRES- Një grup ekspertësh të hetimit kanë nisur punën për zbulimin e shkakut të vdekjes së dy foshnjave binjake në fshatin Fllakë të Rrethit të Durrësit.Djali dhe vajza 5 muajshe u gjetën të vdekura në krevatët e tyre nga i ati në orët e para të mëngjesit të së enjtes. Nga dëshmitë e familjarëvë në orën 20.00 të ditës së mërkurë, nëna e fëmijëve i kishte ushqyer ata me qumësht dhe me biskota më pas i kishte vënë në gjumë. Pas 6 orësh, kur i ati ishte ngritur për të kontrolluar foshnjat i ka gjetur ata pa jetë.Gjatë kryerjes së veprimeve hetimore paraprake, grupi hetimor nuk ka konstatuar shenja dhune në trupat e foshnjave.Burime nga policia bëjnë të ditur se pista kryesore e hetimit është ajo e helmimit pasi në gojën e foshnjave është gjetur shkumë. Gjithashtu dhe nga dëshmia e gjyshes së të miturve, trupi i bebeve ishte ngjetur i nxirë.Një punonjës i policisë jo zyrtarisht tha se shenjat e konstatuara te vogëlushët janë prova të një helmimi të mundshëm nga ushqimi.Familjarët tregojne se më datën 12 dhjetor bebet ishin vaksinuar kundër gripit. Gjatë këtyre ditëve ata ishin prekur nga një virus gripal i lehtë, por pa temperaturë dhe probleme të tjera shqetësuese.Foshnjat janë dërguar në spitalin rajonal të Durrësit ku i janë nënshtruar autopsisë. Rezulatet e saj do të zbardhin saktë se cili ka qenë shkaku i kësaj vdekjeje tragjike.(s.g/a.k/BalkanWeb)