E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politikanët përgjigjen për taksën e gjelbërimit

Bashkia e Tiranës ka publikuar emrat e ministrave, zëvendësministrave, të cilët nuk janë treguar korrektë me pagesat e detyrimeve të vendosura nga vendorët. Konkretisht, zëdhënësja e bashkisë së kryeqytetit ka dalë dje në një konferencë për shtyp, duke renditur sipas shkallës së "pakorrektësisë" të gjithë VIP-at që aktualisht thurin politikat qeverisëse. "Qytetarët e Tiranës, të gjithë ata që paguajnë rregullisht taksat e tarifat e pastrimit, gjelbërimit, pasurisë, duhet të informohen që me lekët e tyre pastrohen e gjelbërohen dhe lagjet e zonat e banimit të pushtetarëve, të cilët nuk denjojnë të zbatojnë rregullat e komunitetit. Për më tepër, këta pushtetarë kujdesen çdo ditë që të ndotin Tiranën me baltën e shpifjes e të urrejtjes politike", sqaroi zëdhënësja e bashkisë, Joana Bushi. Listën e kryeson vetë ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, pjesë e ministrisë të cilën drejton, është dhe pushteti lokal. Bashkia sqaron se rekordin e thyen Ferdinad Njazi Poni, zv.ministër i Brendshëm, i cili ka 3 vjet pa paguar asnjë taksë apo tatim, pra një shkelje e ligjit me të dyja këmbët. Në mbrëmje, Basha ka përgënjeshtruar lajmin, duke deklaruar se i ka paguar të gjitha taksat dhe detyrimet që ka ndaj Bashkisë së Tiranës. I kontaktuar në telefon ministri i Shëndetësisë, i akuzuar për pakorrektësi ndaj pushtetit vendor, për shkak se nuk ka paguar taksat, Petrit Vasili sqaroi se: "Ligji nuk thotë nëse taksën duhet ta paguajmë ditën e parë të vitit apo javën e fundit. Taksën e gjelbërimit do ta paguaj, ende nuk ka mbaruar viti 2009".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›