E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacientët me dializë, rimbursim për transportin

Janë tri dhuratat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri për pacientët që trajtohen me dializë. E para vjen për fëmijët e sëmurë me veshka, të cilët do të kenë një qendër të posaçme ku do të trajtohen me shërbimin e dializës. Dhurata e dytë është për të gjithë ata që trajtohen me dializë. Kërkesa e tyre për rimbursimin e transportit do të plotësohet, ndërkohë që do t‘i shtohen listës së përfitimit nga ky shërbim edhe 60 pacientë të tjerë. Kush nuk do të jetë pjesë e kësaj liste, do të mund të marrë shërbimin e dializës në privat, pasi koncesioni do të përfshijë edhe këtë sektor. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar dje se numri i personave që do të përfitojnë nga dializa do të shkojë në 800, nga 500 që trajtohen aktualisht. Ndërkohë që në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Zhvillim dhe Koordinim kanë përfunduar modalitetet për ngritjen pranë shërbimit të pediatrisë të një qendre dialize për fëmijët.
Transporti falas
"Me rritjen e financimit dhe shtimin e qendrave të dializës, mendojmë që të përmirësohet akoma më tepër cilësia e shërbimit, duke kryer seancat e nevojshme të dializës të përcaktuara nga mjeku për çdo të sëmurë", tha ministri Petrit Vasili.
Me shtrirjen e skemës së sigurimeve të kujdesit shëndetësor në spitale, me përcaktimin e kostove të shërbimeve, pritet t‘i jepet zgjidhje përfundimtare problemit të transportit të të sëmurëve nga banesa drejt qendrës ku marrin shërbimin shëndetësor, duke përfshirë koston e transportit të sëmurëve, në koston e shërbimit të dializës. Kjo ka qenë dhe një kërkesë e vazhdueshme e Shoqatës së Pacientëve të Dializës. Aktualisht disa spitale e mbulojnë me automjetet e tyre, ndërsa disa spitale rimbursojnë biletën me një kuotë të caktuar, gjë e cila nuk e zgjidh plotësisht problemin.
Nisur nga studimet e kryera, 50-60 persona për një milion banorë në vit, humbasin plotësisht funksionin e veshkës, rreth 175 raste të reja në vit kanë nevojë të trajtohen nëpërmjet dializës.
"Bazuar në shtrirjen e sëmundshmërisë, po punojmë për përcaktimin e shpërndarjes gjeografike të qendrave dhe shtretërve të dializës me qëllim ngritjen e qendrave të reja të dializës, publike ose private, në Durrës, Korçë ose Pogradec, Fier e ndonjë tjetër, me nga të paktën 8 shtretër, sipas standardeve europiane, të licencuara dhe akredituara", sqaroi Ministria e Shëndetësisë.
Buxheti
Me financim shtesë në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë, prej vitit 2006 janë kryer dhe 38 transplante renale në disa të sëmurë të referuar nga shërbimi i nefrologjisë.
Përveç transplanteve të kryera është ngritur infrastruktura dhe teknologjia e nevojshme në dhomën speciale pranë shërbimit të urologjisë në spitalin "Nënë Tereza".
Në bashkëpunim me mjekët italianë mbas trajnimit të ekipit shqiptar, në muajin mars 2009, u krye transplanti i parë renal në një spital publik shqiptar. Sipas raportit të situatës së Ministrisë së Shëndetësisë, me gjithë punën e deritanishme të bërë, numri i të sëmurëve që kanë nevojë për dializë është më i madh dhe niveli i shërbimit që ofrohet për këta pacientë ka akoma "pjesë" për të përmirësuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›