E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, vjedhja e pistonave të lokomotivave, arrestohet hajduti i tretë

Policia e Durrësit ka vënë në pranga hajdutin e tretë të një bande prej grabitësish që vidhnin pistonat e lokomotivave. Policia ka arrestuar 18- vjeçarin Florian Kola, i cili së bashku me dy shokë të tij kanë kryer dy vjedhje të njëpasnjëshme në bazën hekurudhore të hekurudhës. Burime të policisë së Durrësit bënë të ditur se shtetasit e mësipërm kanë vjedhur në datat 9 dhe 25 shkurt të këtij viti 18 pistona alumini, pjesë ndërrimi për lokomotivat, 250 kg babit si dhe një sasi të konsiderueshme fletë bakri e alumini me vlerë prej 530 000 lekë të reja. Para disa ditësh ishin kapur dy prej grabitësve, ndërkohë që dje u arrestua edhe i treti, që është adoleshent. Policia e Durrësit kishte arrestuar pak ditë më parë për këtë vjedhje edhe 25- vjeçarin Adhurim Duksani, lindur në Dibër dhe banues në Shkozet si dhe 19- vjeçarin Fetah Çela, lindur në Peqin dhe banues në Shkozet. Të dy ata janë akuzuar nga policia si autorë të dy vjedhjeve të kryera në bashkëpunim, vjedhje të cilat thuhet se janë kryer në muajin shkurt të këtij viti. Duksani, i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale së bashku me Çelën e Kolën kanë vjedhur në Bazën e Hekurudhës plot 18 pistona lokomotive si dhe materiale të tjera. Këto pjesë këmbimi kanë qenë të reja dhe fati se janë të gjitha të gatuara me çelik shumë cilësor kanë çmim të lartë në tregun e skrapit. Për hajdutët nuk ka pasur asnjë rëndësi se sa është vlera e 18 pistonave të rinj të blerë nga hekurudha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›