E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitali i Fierit me 1 mjek ortoped, pacientët disa ditë në radhë për vizitë

Më shumë se 100 mijë banorë të qytetit të Fierit dhe me mijëra të tjerë të zonave rurale, janë të detyruar të presin në radhë, pasi në spitalin e Fierit ndodhet vetëm një mjek ortoped. Shqetësimi në fjalë vihet re përditë e më shumë në dyert e spitalit, ku prej më shumë se dy vjetësh është vetëm një specialist ortoped. Vetë qytetarët presin çdo ditë pranë dhomës së ortopedit, që ky i fundit të mbarojë vizitat e planifikuara, ndërkohë që shumë të tjerë kthehen për të disatën ditë rresht në po të njëjtat mjedise për të kryer vizitën. "Jemi të detyruar të vijmë në këto dyer për ditë me radhë. Presim për orë të tëra e nuk marrim dot shërbimin e kërkuar. Duhet që menjëherë një situatë e tillë të marrë zgjidhje, pasi vetëkuptohet që një mjek i vetëm nuk mund ti shërbejë gjithë këtij komuniteti. Unë vetë jam nga Fieri dhe kjo është e treta ditë që vij e mbaj radhën këtu, pasi duhet të pres radhën, se të parët vizitohen ata që vijnë nga rrethet, përshi këtu edhe zonat më të largëta si Tepelena, Berati, e madje Përmeti", shprehet Flutura Shurdhi. Por me mendimin e saj bashkohen edhe shumë qytetarë të tjerë, të cilëve fati u ka rënë të enden dyerve të spitalit. E përballë një situatë të tillë, mjeku ortoped Kristaq Babe, i cili shërben në këtë repart, shprehet se gjendja është e njohur edhe për drejtorinë e spitalit, e madje edhe për Ministrinë e Shëndetësisë. Shpeshherë është kërkuar prania e një mjeku tjetër ortoped, por nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë nuk është emëruar askush në këtë vend, ndonëse kërkesat janë të shumta. Vendi në fjalë ka mbetur qysh dy vite më parë, kur mjeku që mbulonte këtë pozicion është larguar me banim në kryeqytet. Ndërkohë, drejtoresha e spitalit të Fierit, Najada Jahiqi është shprehur se Ministrisë së Shëndetësisë i është bërë një kërkesë, dhe vetë drejtoria e spitalit është në pritje të marrjes së një vendimi, pasi kjo e fundit nuk ka të drejtë të emërojë mjekë. Por edhe pse me një mangësi të tillë, rastet në qytetin e Fierit nuk kanë qenë të pakta. Aksidentet automobilistike kanë bërë që persona të shumtë të pësojnë trauma e fraktura të ndryshme, ndërkohë që për të ndërhyrë në këta pacientë është një mjek i vetëm, i cili nuk e përballon dot të gjithë fluksin. Derisa situata të marrë një zgjidhje nga Ministria e Shëndetësisë, qytetarët fierakë dhe jo vetëm, do të vazhdojnë të presin në radhë pranë ortopedit, duke duruar dhimbjet, e duke shpresuar që të mos mbeten sakat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›