E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvritet me plumb ish-kreu i PD

 

VLORE - Ish kreu i PD-së së Vlorës i jep fund jetës me plumb në zemër. Sipas policisë, në kushtet e një depresioni të rëndë, Shpëtim Xhyheri u vetëvra dje rreth orës 10:30 minuta. Babai i dy fëmijëve i ka kërkuar bashkëshortes së tij të dilte për t’i blerë ilaçe në farmaci, me qëllim që të vetëvritej në momentet kur në banesë të mos ndodhej njeri. Mbasi gruaja e tij është larguar, 68-vjeçari ka marrë armën, çifte gjahu dhe e ka drejtuar në pjesën e gjoksit, pranë zemrës. Gruaja e tij e ka gjetur në gjendje të rëndë, kur është kthyer në shtëpi por 68-vjeçari ka gjetur vdekjen gjatë rrugës për në spital. Ajo sinjalizoi menjëherë edhe policinë, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes. Sipas të afërmeve, Xhyheri kishte dy vjet që vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Ishte kuruar në Shqipëri dhe më pas dhe në Turqi por mjekët nuk i kishin dhënë shpresa shërimi. Shpëtim Xhyheri ishte një nga funksionarët e lartë në PD-në lokale. Ai ka mbajtur postin e Kryetarit të PD-së së Vlorës për dy mandate, nga viti 1997 – 2004. Në vitin 2005 ai ka qenë Drejtor i Portit e më tej Shef i Inspektoratit Ndërtimor Vlorë, ku dha dorëheqjen rreth 5 muaj më parë për shkaqe shëndetësore. Policia bëri të ditur se është duke hetuar ngjarjen, por paraprakisht dyshohet se viktima t’i ketë dhënë fund jetës në kushtet e një depresioni të rëndë, për shkak se ai vuante nga një sëmundje e pashërueshme.                  q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›