E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, zbulohet laboratori i drogës dhe 1 ton përbërës

Policia ka bllokuar dje pajisjet për prodhimin e narkotikëve. Arrestohen shtetasit Ilir Xhaferri e Granit Shoshi
DURRËS- Policia e Durrësit ka zbuluar ditën e djeshme një sasi prej një toni të një lënde të dyshuar se shërben për prodhimin e heroinës dhe kokainës. Por policia lokale këtë herë është treguar e rezervuar në lidhje me publikimin e lëndës së kapur pasi disa muaj më parë publikoi kapjen e gjysmë toni kokainë kur në fakt ajo rezultoi se ishte e pavërtetë. Burimet zyrtare të policisë së Durrësit shpjeguan se sasia prej një toni është gjetur në banesën e shtetasit Ilir Xhaferri, 34 vjeç. Hetuesit kishin marrë informacione në rrugë operative se në banesën e këtij shtetasi prodhohej lëndë narkotike. Sipas informatorit të policisë, në këtë banesë po mblidheshin të gjithë prekursorët e nevojshëm dhe më pas do të niste prodhimi i lëndës narkotike. Me të saktësuar këtë informacion, policia e Durrësit ka bërë gati edhe operacionin për bllokimin e laboratorit të drogës. Aksioni ka nisur në orët e para të mëngjesit të djeshëm dhe kur oficerët e policisë kanë hyrë në banesën e 34 vjeçarit Ilir Xhaferri kanë gjetur një sasi të madhe lënde të dyshimtë si dhe pajisje të shumta që shërbejnë për prodhimin e narkotikëve. Tashmë lënda e gjetur është dërguar për analiza të hollësishme në laboratorin e kriminalistikës në kryeqytet. Vetëm pasi të japin mendimin e tyre ekspertët, do të bëhet publik edhe lloji i lëndës. Ndërkohë burime nga grupi hetimor i çështjes pohuan se sipas të gjitha gjasave lënda e bllokuar do të rezultojë të jetë paracetamol dhe kafetinë. Ato janë komponentë përbërës të heroinës por edhe lëndë që gjehen tepër lehtësisht në të gjitha farmacitë e vendit dhe nuk kanë nevojë as për recetë.
Burime zyrtare të policisë lokale thanë se "banesa, pronë e shtetasit Ilir Xhaferi, 34 vjeç, ndodhet në lagjen numër 13, pranë Urës së Dajlanit dhe mendohet se ajo shërbente si një laborator për prodhimin e drogës". Sipas tyre, nga të dhënat e para është zbuluar se në këtë banesë ndodheshin të gjithë përbërësit e nevojshëm për të prodhuar lëndën narkotike të heroinës. Në momentin e ushtrimit të kontrollit nga ana e policisë, në banesë ndodhej pronari i saj Ilir Xhaferri dhe një preson tjetër, i cili dyshohet se është bashkëpunëtori i tij në prodhimin e lëndëve narkotike. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Durrësit, në lidhje me këtë ngjarje janë arrestuar shtetasit Ilir Xhaferri, 34 vjeç dhe 33- vjeçari Granit Shoshi. Policia bëri të ditur se në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda përzierëse, bidona me material të lëngshëm dhe një pistoletë pa leje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›