Humb jetën 11-vjeçari, e tërhoqi kali zvarrë
Aristid Smajli vdiq i copëtuar në terrenin e thyer të Rapshës, kur kali që po kulloste e tërhoqi rreth dy kilometra
Sipas familjes, djali nxirrte kalin çdo ditë në kullotë. Mjekët: Trupi i fëmijës krejtësisht i copëtuar
Malësi e Madhe-Kishte dalë për të kullotur kalin, por përfundoi i copëtuar nga tërbimi i kafshës, që e zvarriti për 2 kilometra. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Rapsh të komunës Kastrat të Malësisë së Madhe, ku viktimë e "pabesisë" së kafshës mbeti 11-vjeçari, Aristid Smajli.
Fëmija, nxënës në klasën e gjashtë, kishte dalë dje, si përditë për të kullotur kalin. Sipas burimeve zyrtare të policisë, por edhe familjarëve, kafsha përdorej në shtëpinë Smajli për të mbajtur dru, sikundër ndodh në këtë zonë të thellë të malësisë. Dolën të dy bashkë nga shtëpia dhe iu drejtuan livadhit, që ndodhet rreth 2 kilometër larg banesës së tij në fshat. Gjithçka dukej se po shkonte mirë, kur pasditen e djeshme, Ndërsa po bëhej gati të kthehej bashkë me kalin në shtëpi, 11-vjeçari i ka hipur kalit. Nuk dihet saktësisht se çfarë ndodhi, por, kali u tërbua dhe e hodhi djalin përtokë. Kanë qenë fraksione sekonde, kur djali i rrëzuar nga kafsha, nuk arriti dot të shkëpuste këmbën nga shala. "Këmba fëmijës i kishte mbetur në një nga litarët e shalës dhe nuk ka mundur ta heqë dot në kohë",- sqarojnë burimet policore. Pikërisht kjo ka qenë edhe fatale për jetën e fëmijës.
Kafsha e tërbuar ka nisur të vrapojë me shumë shpejtësi, ndërsa djali me njërën këmbë të lidhur fort pas litarit të shalës është tërhequr zvarrë. Një skenë makabre, ku djali i vogël është tërhequr kështu për rreth 2 kilometra rrugë nëpër një terren të thyer e me shumë gurë. Në moment, aty nuk është ndodhur asnjeri që të ndërhynte për të penguar vrapin e kafshës, ndërsa kur kalimtarë të rastësishëm kanë parë skenën dhe kanë dëgjuar klithmat e 11-vjeçarit, që kërkonte ndihmë, janë përpjekur të ndërhyjnë, por kafsha nuk ka dëgjuar të ndalet. Kur së fundi kalimtarët i kanë prerë rrugën duke e detyruar të ndalojë, ka qenë shumë vonë. Ata që e kanë parë në atë moment kanë dëshmuar në polici se 11-vjeçari ka humbur jetën i copëtuar.
Dëmtimet kanë qenë të tmerrshme. Sipas policisë, ai ishte i copëtuar krejtësisht në trup e kokë, madje edhe me pjesë të shpërndara. Mjekët janë përpjekur të bëjnë bashkimin e trupit të copëtuar, por megjithatë nuk kanë arritur dot plotësisht. Për këtë arsye, ata kanë vendosur të izolojnë arkivolin me trupin e pajetë së fëmijës, në mënyrë që familja të mos e hapte. Aristid Smajli, ishte djalë i vetëm dhe fëmija më i madh i familjes së Lec Smajlit, që ka dhe dy vajza tjera më të vogla. Pas gjëmës që iu ndodhi, ata kanë rrëfyer se kafsha përdorej nga familja për të transportuar dru zjarri dhe për të kryer nevoja të tjera të familjes. Nxënësit e shkollës së Rrapshës, dje nuk kanë bërë mësim dhe as aktivitetin e planifikuar për festat e fundvitit, pasi vdekjatragjike e shokut të tyre i ka tronditur së tepërmi.