Shkodër, e përplas makina, rëndë polici rrugor
Astrit Puci u dërgua në Tiranë me dëmtime të shumta në kokë e trup. Ishte në krye të detyrës
Shkodër- Aksidentohet rëndë, ndërsa ishte në krye të detyrës, një efektiv i policisë së qarkullimit rrugor të Shkodrës. Astrit Puci, 34-vjeç, ka qenë me shërbim në aksin rrugor Shkodër-Lezhë, në vendin e quajtur Kryebushat, së bashku me një kolegun e tij. Ka qenë ora 05.25 e ditës së djeshme, kur patrulla e policisë e përbërë nga dy efektivët ndodhej në autostradë, në anë të rrugës për të kontrolluar lëvizjen e mjeteve. Një automjet tip Pezho me targë, TR 0368 M, që drejtohej nga Ermal Baboçi, 30-vjeç, udhëtonte në drejtim të Shkodrës. Polici rrugor Astrit Puci është spostuar pak nga ana e rrugës drejt qendrës së saj duke i bërë shenjë që të ndalonte mjetit që po ecte me shpejtësi. Por, drejtuesi i Pezho-së nuk ka mundur ta kontrollojë mjetin dhe ndonëse është përpjekur të evitojë përplasjen me efektivin e policisë ka qenë tepër vonë dhe e ka përplasur. Nga spostimi për të shmangur përplasjen mjeti i ka rënë një plepi në anë të rrugës, pranë një kanali, ndërsa drejtuesi është dëmtuar lehtë. Ka qenë efektivi tjetër i policisë rrugore që ndodhej në shërbim së bashku me 34-vjeçarin Puci, që ka lajmëruar me radio për ndihmë, ndërsa polici i dëmtuar rëndë është vënë në një mjet tjetër dhe ështëdërguar me shpejtësi në spitalin e Shkodrës. Aty, mjekët kanë vendosur ta dërgojnë në Tiranë në Spitalin Ushtarak, pasi gjendja shëndetësore e tij paraqitet e rëndë. Sipas mjekëve shkodranë, përveç thyerjes së gjymtyrëve, 34-vjeçari ka dëmtime të mëdha në kokë, të cilat bëjnë që gjendja e tij shëndetësore të paraqesë rrezik për jetën. Pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, policia lokale ka bërë ndalimin e autorit të aksidentit, drejtuesit të mjetit, ndërsa kolegët e policit të dëmtuar, të tronditur nga ajo që ka ndodhur shprehen se ai ishte një polic i përgjegjshëm dhe korrekt që nuk i nënvleftësonte asnjëherë shërbimet. Në vendin ku ndodhi aksidenti , në autostradë mësohet se ka pasur mungesë ndriçimi, ndërsa shkaku i aksidentit mendohet se është shpejtësia e lëvizjes së mjetit dhe mos kontrolli i tij nga ana e drejtuesit. Polici i dëmtuar, në momentin e aksidentit ka qenë i veshur me rrobën përkatëse fosforeshente, që lejon të shihet dhe në errësirë, por duket se as kjo nuk e ka ndihmuar dot t'i shpëtojë goditjes nga makina që lëvizte me shpejtësi.