Maskat grabisin me armë
KURBIN - Maskat grabisin me armë një pikë karburanti në Kurbin. Roja i karburantit që ndodhet në dalje të Milotit, nën kërcënimin e armës u detyrua t’iu dorëzojë grabitësve gjithë shumën që i ndodhej në ato momente. Pasi i morën xhiron e pasdites dhe telefonin celular, personat të cilët mësohet se ishin dy, u larguan në drejtim të paditur. Burime të policisë së Kurbinit bënë të ditur se ngjarja ndodhi rreth orës 20:00 të së martës. Dy persona me maska dhe me armë janë futur tek një pikë karburanti në pronësi të S.Veselit. Pasi ndaluan mjetin tip “Benz” pa targa, me të cilin ata po udhëtonin, i kanë drejtuar armën punonjësit të karburantit, Valentin Çerri. Sipas dëshmisë së tij dhënë pas grabitjes në polici, njëri nga personat e mbajti atë nën kërcënimin e armës, ndërsa tjetri u fut në ambientet e brendshme duke marrë 30 mijë lekë. “Në momentin e grabitjes nuk kishte lëvizje. Kur pashë dritat e makinës unë dola për t’iu mbushur mjetin me karburant. Por ata dolën nga makina, njëri prej të cilëve mbante një pushkë në dorë dhe ma drejtoi duke më kërkuar të mos lëvizja. Ai më kërcënoi se do të më vriste nëse tentoja të largohesha apo të bëja ndonjë manovër tjetër”. Kështu mësohet të ketë deponuar roja i karburantit në policinë e Kurbinit për ngjarjen e ndodhur. Blutë mbërritën në vendin e ngjarjes dhe nisën hetimet për të bërë të munduar identifikimin dhe arrestimin e autorëve. Të paktën gjashtë persona që dyshohet se kanë dijeni për ngjarjen u shoqëruan. Por pasi u morën në pyetje, ata u lanë sërish të lirë. Policia bëri të ditur se është duke hetuar intensivisht këtë ngjarje, por ende nuk ka asnjë të arrestuar për t’i adresuar edhe akuzën konkrete për grabitjen e ndodhur. r.n