Protesta anti-Ksera në Tepelenë
TEPELENE
Merr përmasa politike protesta nacionaliste në Tepelenë në mbështetje të dy të rinjve, që tubuan me thirrje antigreke vitin e shkuar. Deputeti Spartan Ngjela, Erjon Veliaj i G99 dhe përfaqësues të lëvizjes “Mjaft”, u janë bashkuar grupit prej dhjetëra banorësh para Gjykatës së Tepelenës. Ata kanë mbështetur dy të rinjtë, që po gjykohen me akuzën e tubimit të paligjshëm, Orgen Hasanbegaj dhe Luan Halili. Ashtu si dhe në seancën e kaluar dy javë më parë, procesi ndaj dy të rinjve nga fshati Toç u parapri me protestën paqësore, të organizuar nga disa shoqata atdhetare, por përveç qytetarëve janë përfshirë edhe emra të njohur si Spartak Ngjela e Erion Veliaj. Gjatë protestës ata kanë lëshuar thirrjen “Poshtë Bollano e Ksera”, duke kërkuar mbylljen e çështjes në fjalë. Mjaft i ashpër ka qenë deputeti Ngjela, i cili ka pasur cilësinë e të ftuarit në këtë tubim, ku kanë munguar pankartat. Ai i është drejtuar Presidentit të Republikës me kërkesën, që Prokuroria e Përgjithshme të fillojë procesin penal kundër prefektit Ksera. “Këta dy të rinj treguan se kurrë nuk mund të vijë një harresë e kombit. Ndaj unë kam ardhur t’i përkrah dhe në të njëjtën kohë, të bëj thirrje që Presidenti të kërkojë nga prokurorja nisjen e procedimit penal kundër prefektit Ksera, në mënyrë që të vendosim dinjitetin në vend”. Ngjela ka kërkuar që Gjykata e Tepelenës të mos e zhvillojë më këtë maskaradë, të cilën sipas tij nuk dihet kush e paguan. “Kohët e fundit është vënë re një tendencë negative ndaj figurave si Skënderbeu, Noli, Konica e Gurakuqi, të cilët e kanë ngritur lart emrin e shqiptarit”, u shpreh Ngjela. Pas rreth 1 orë proteste, të pranishmit i janë drejtuar Gjykatës së Faktit të Tepelenës, ku kanë marrë pjesë në seancën gjyqësore ndaj dy të rinjve. Por dhe kjo seancë, për të katërtën herë është shtyrë, pasi nuk ishin paraqitur të gjithë dëshmitarët. Bëhet fjalë për nëpunës të policisë së Tepelenës, të cilët denoncuan dy djemtë për organizim të tubimit të paligjshëm. Nga ana tjetër kreu i lëvizjes G99 Erjon Veliaj, i cili ishte i pranishëm në seancën gjyqësore ka theksuar se kjo çështje ka marrë përmasa shumë më të mëdha nga ç’duhet. “Jam i zhgënjyer nga mungesa e profesionalizimit, pasi në Gjykatën e Tepelenës po i referohen ende ligjit komunist, për kërkesa dhe leje për tubime, ndërkohë që për një gjë të tillë, mjafton vetëm një njoftim”, është shprehur Veliaj. Gjyqi ndaj dy të rinjve është shtyrë për në datën 11 shkurt dhe do të zhvillohet në Gjykatën e Shkallës së Parë, Gjirokastër.
Ngjarja për të cilën akuzohen dy të rinjtë zë fill më 28 qershor të vitit të kaluar. Banorët të fshatit Toç, rreth 20 kilometra larg qytetit të Tepelenës organizuan një tubim në hyrje të fshatit të tyre, për të protestuar ndaj deklaratave antishqiptare të kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, si dhe ndaj prefektit të qarkut të Gjirokastrës, Spiro Ksera, për pjesëmarrjen e tij në takimin panepiriot në Konicë të Greqisë.
Seanca e ardhshme do të zhvillohet më 11 shkurt në Gjykatën e Shkallës së Parë Gjirokastër, për shkak se Gjykata e Tepelenës është prekur nga reforma e sistemit të drejtësisë.