E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuman ka frikë nga Shqipëria

 

Ervin Kuman, është i bindur se më 28 mars, Shqipëria do të kërkojë patjetër hakmarrje ndaj Hungarisë së tij. Madje, ai nuk e fsheh frikën se kuqezinjtë vetëm do të sulmojnë në këtë ndeshje. Kjo është arsyeja që tekniku holandez i Hungarisë është fokusuar tërësisht në repartin e mbrojtjes. Ai ka shkuar dy ditë më parë të shohë nga afër qendërmbrojtësin hungarez të Plejmuthit, Krisztian Timarin. Gazetarët e kanë njohur menjëherë trajnerin dhe ai për të evituar spekulimet në median britanike të tipit “Kuman në krye të Plejmuthit”, ka nxituar të japë shpjegime: “Jam këtu për të parë mbrojtësin Krisztian Timar. Ai është një lojtar shumë interesant dhe mendoj se mund t’i vlejë Kombëtares hungareze – ka thënë Kuman për “plymouth.co.uk”. – Dy ndeshjet e ardhshme do të jenë vendimtare për ne. Më 28 mars do të luajmë kundër Shqipërisë në Tiranë dhe padyshim që do të jetë një ndeshje e fortë. Ata do të kërkojnë të hakmerren për humbjen që pësuan në muajin tetor në Budapest. Ndërkaq, më 1 prill do të luajmë me Maltën që është gjithashtu, një ndeshje shumë e rëndësishme, pasi duhet të marrim pikë të plota. Unë mendoj se skuadra jonë ka nevojë për disa përforcime në repartin e mbrojtjes dhe Krisztian Timar është një lojtar që meriton të ketë vëmendje”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›