Shkodër, anëtarët e KRRT: Ndërtimet jo mbi tetë kate
SHKODER - Lartësia e ndërtesave, studimet gjeologjike, shkallët e emergjencës, sipërfaqet e gjelbërta etj., ishin disa nga kriteret që anëtarët e KRRT-së në Shkodër kërkuan për ndërtuesit në mbledhjen e saj të parë për këtë vit. “Lartësia e pallateve nuk duhet të jetë më shumë se 8 kate”, theksuan anëtarët e KRRT-së, duke argumentuar se vetëm kështu do të mund të ketë një garanci më të madhe për jetëgjatësinë e ndërtimeve si dhe për sigurinë e vetë qytetarëve, nisur edhe nga studimet gjeologjike të specialistëve të nëntokës për rajonin e qytetit të Shkodrës. Po kështu, në mbledhjen e djeshme u diskutua edhe rëndësia që duhet të ketë koeficienti i shfrytëzimit të ndërtesave, pasi arkitektët duhet t’i kushtojnë një vëmendje të madhe sipërfaqeve të gjelbërta si dhe shesheve të parkimit për vetë banorët. Ndërsa një pikë tjetër ku është këmbëngulur nga kryetari i KRRT-s, njëkohësisht dhe kryetari i Bashkisë, Lorenc Luka, është ndërtimi i shkallëve të emergjencës si dhe respektimi i një gjerësie të aksit të rrugëve në ato raste kur kufiri i pronës është mbi asfalt. “Ato do të jenë jo më pak se 8 metra, qofshin këto edhe rrugë dytësore, pasi nisur nga projektet e paraqitura nga arkitektët këto akse na paraqiten me 6 metra gjerësi”, theksoi Luka. Gjatë mbledhjes së djeshme, sekretaria teknike shqyrtoi kërkesat për 21 materiale për studime urbanistike pjesore, 11 prej të cilave ishin për sheshe ndërtimi, 25 për leje ndërtimi, ndërsa 11 të tjera për leje shfrytëzimi. Në listën e paraqitur për prezantim krahas objekteve që prezantoheshin për herë të parë, ishin edhe një numër i konsiderueshëm që ishin rikthyer nga mbledhjet paraardhëse, pasi kishin pasur mangësi teknike gjatë hartimit të projekteve duke mos plotësuar kushtet dhe kriteret ligjore sipas rregullores së urbanistikës. Luka iu bëri thirrje projektuesve si dhe anëtarëve të KRRT-së që financuesit duhet të maten mirë kur vijnë për të marrë lejet e ndërtimit, pasi ato duhet të kenë të siguruara mjetet financiare, me qëllim respektimin e afateve kohore që kanë parashikuar në projektet e depozituara pranë sekretarisë teknike të KRRT-së.