Tirana A.S, kampione e futbollit të femrave
Skuadra e Tirana A.S, e drejtuar nga ish-futbollisti i ekipit kombëtar, Altin Rraklli, është shpallur fituese e turneut të parë kombëtar të futbollit të femrave, organizuar për herë të parë nga Federata Shqiptare e Futbollit. Skuadra e kryeqytetit ka mundur dje në finale skuadrën e femrave nga Shkodra, Jubani. Pjesa e parë është mbyllur me rezultatin 2-0, ndërsa në pjesën e dytë skuadra bardheblu shënoi edhe dy gola të tjerë, duke e fituar takimin 4-0. Golat për skuadrën vendëse u shënuan nga Zaimaj (2), Seranaj dhe Baro. Në ceremoninë e dorëzimit të trofeut të këtij aktiviteti kombëtar, Kupën e dorëzoi Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili i uroi suksese skuadrave pjesëmarrëse në aktivitet e ardhshme, duke u premtuar mbështetjen e institucionit që ai drejton. Presidenti Duka deklaroi përpara medias se, në të ardhmen do të zhvillohen edhe disa aktivitete promovuese të futbollit të femrave dhe se FSHF-ja është në përgatitje për të organizuar kampionatin e parë kombëtar për femra në të gjithë historinë e futbollit shqiptar.
REZULTATET
23.01.2009
Tirana A.S – Tropojë 8-0
Jubani – Olimpik 7-0
Tirana – Rubiku 1-3
Memaliaj - The Doors 0-3
Gjysmëfinalet
25.01.2009
Tirana A.S-The Doors 7-0
Rubiku-Jubani 0-5
Finalja
28.01.2009
Tirana A.S-Jubani 4-0