E Diel, 1 Nëntor 2026

Hyka do t’i paguajë 100 mijë euro Olimpikut

 

Jetmir Halilaj

Jahmir Hyka do t’i paguajë klubit të K.F. “Olimpikut”, 100 mijë euro. Drejtuesit e këtij të fundit pak ditë më parë janë ankuar në Federatë për shkak se sipas tyre, lojtari pas transferimit te skuadra e Mainc 05, nuk kishte paguar detyrimin prej 5 për qind të shumës së transferimit në klubin mëmë, rregull ky i vendosur nga FIFA. Hyka e ka pranuar gabimin dhe ka dërguar një letër në FSHF, ku premton se 50 mijë euro do t’i paguajë tani në arkat e klubit të K.F “Olimpikut”, ndërsa pjesën tjetër do ta paguajë në shtator të këtij viti. “Jahmir Hyka, pranoi dhe njohu detyrimin prej 100.000 euro ndaj K.F “Olimpikut”, ku përcakton dhe se do ta paguajë të ndarë në dy këste si më poshtë: a) 50.000 euro me nënshkrimin e shkresës së dërguar nga lojtari për K.F “Olimpiku”. b) 50.000 euro do të dërgohet po kështu nga Jahmir Hyka K.F Olimpikut në muajin shtator të vitit 2009. Kjo shkresë, me këtë propozim pranohet nga K.F Olimpiku dhe nënshkruhet para Komisionit të Disiplinës. Në kushtet e mësipërme, Komisioni i Disiplinës pranon zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje të pranuar nga palët dhe njëkohësisht paralajmëron lojtarin Jahmir Hyka se, në rast mosrespektimi të kësaj marrëveshjeje, sipas kushteve të pranuara, do të ketë sanksione në bazë të rregullores së FSHF-së dhe UEFA-s”, shkruhej në vendimin e djeshëm të Komisionit të Disiplinës.
Dyshime
Është shumë i dyshimtë fakti që një futbollist si Hyka, i cili njihet për korrektësi, nuk paguan detyrimet që ka ndaj klubit të Olimpikut. Ndërkaq, drejtuesit e klubit të Maincit, kanë bërë të ditur se nuk kanë asnjë detyrim ndaj klubit mëmë të Hykës dhe as ndaj vetë futbollistit, duke bërë të qartë se i kishin respektuar të gjitha pikat e kontratës, përfshi këtu edhe shumën që duhej të paguhej për kartonin e tij. Hyka, me anë të një shkrese ka pranuar se i detyrohej 100 mijë euro klubit të Olimpikut, por fakti që ai do ta paguajë në dy këste këtë shumë është prapë i dyshimtë. Lojtari nga akordi që kishte me klubin e tij, duhej të merrte 1.5 milionë euro dhe nëse ai e zotëron vërtet një shumë të tillë, atëherë nuk ka pse t’i paguajë me këste detyrimet ndaj Olimpikut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›