E Diel, 1 Nëntor 2026

Yasim Kadi: “Gjyqtarët të vijnë të më marrin në pyetje Arabi”

Kolegji Penal refuzoi dje kërkesën e avokatit për marrjen në pyetje të Kadisë. Procesi për Hamzeh Abu Rayyan ndodhet në fazën e dëshmitarëve të mbrojtjes

Laureta Rryçi

Tiranë – Yasim Kadi, i akuzuar nga shteti ynë si financues i terrorizmit, i ka bërë dje ftesë gjyqtarëve të Krimeve të Rënda që të shkojnë në Arabinë Saudite për ta pyetur. Shpenzimet do të mbulohen nga financat e tij. Kërkesa e rrallë u refuzua nga Kolegji Penal edhe pse avokati risolli si alternativë të dytë videokonferencën. Sipas Kolegjit Penal, në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda mungojnë aparaturat për të bërë një lidhje nga vendi i largët ku ndodhet Kadi me Shqipërinë. Yasim Kadi në këtë çështje është në cilësinë e dëshmitarit pasi i pandehur është administratori i njërës prej firmave të tij, Hamzeh Abu Rayyan. Procesi është në fazën e dëshmitarëve të mbrojtjes.
Dosja
Mbi Hamzeh Abu Rayyan fillimisht u ngritën akuzat për veprat penale të financimit të terrorizmit dhe atë të fshehjes së fondeve të pasurive të tjera që financojnë terrorizmin të parashikuara përkatësisht në Nenet 230a, 230b të Kodit Penal. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave më 10 gusht të vitit 2006 bërë kallëzim në ngarkim të shoqërisë “Lloxhall” sh.p.k me administrator jordanezin Hamzeh Abu Rayyan. Pronari i kësaj shoqërie ka rezultuar të jetë një emër jo pak i njohur për drejtësinë shqiptare, Yassin Kadi, i cili ndodhet që nga data 17 tetor i vitit 2001 në listën e OKB-së si i dyshuar për financimin e terrorizmit. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, edhe pse shteti shqiptar ka urdhëruar sekuestrimin e aseteve të Yasim Kadisë, kjo shoqëri ka vazhduar aktivitetin e saj.
Hetimet
Gjatë hetimit, prokurori ka konstatuar se kjo shoqëri vazhdon punën e saj nëpërmjet dhënies me qira të pasurive të paluajtshme, pronë e saj. Gjithsej në Tiranë kanë rezultuar 19 objekte, të cilat janë dhënë me qira. Veçori e këtij aktiviteti qiradhënës, sipas hetuesve, është se pagesat e qirave përkatëse janë kryer të gjitha në kesh dhe nuk kanë kaluar nëpërmjet sistemit bankar. Në kuadër të hetimeve, janë marrë deklarime nga të gjithë qiramarrësit e “Loxhall” të cilët deklarojnë vlerën e qirasë për objektet përkatëse si dhe konfirmojnë faktin se pagesat e qirasë janë bërë të gjitha në kesh. Sipas prokurorisë, i pandehuri Rayyan ka marrë dijeni për vënien nën sekuestro të shoqërisë nga ana e Ministrisë së Financave por ai, në mënyrë aktive, duke vazhduar aktivitetin, e ka shpërfillur atë duke fshehur e tjetërsuar në mënyra të ndryshme shumën prej 10.089.604 që ka figuruar gjendje në arkën e shoqërisë për të shmangur zbulimin e vendndodhjen e saj. Me mbylljen e hetimeve, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur ta pushojë akuzën për financim terrorizmi duke lënë vetëm atë të fshehjes së fondeve dhe pasurive ndaj të cilave zbatohen masat kundër financimit të terrorizmit.

18 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›