E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: “Ujësjellësit, debitorë ndaj OSSH-së, të marrin kredi për pagesat”



Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, fajësoi institucionet shtetërore për borxhin e madh që i kanë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. "Për muajin tetor pjesa më e madhe e faturave të papaguara janë të ujësjellësve",- u shpreh Ruli. Kritikat e ministrit të Ekonomisë u bënë dje gjatë paraqitjes së raportit për punën 10-mujore të OSSH-së. Ato vijnë në prag të negociatave me kompaninë çeke “CEZ”, që ka fituar tenderin për blerjen e 85 për qind të aksioneve të OSSH-së. Që nga privatizimi i OSSH-së, 85 për qind e konsumatorëve familjarë që u faturohet energjia, e paguajnë atë. “Arkëtimet kanë dhënë tregues sfidues dhe humbjet janë ulur ndjeshëm”,- tha ministri Ruli. Drejtori i OSSH-së, Dollapi, tha se “në periudhën korrik-tetor ka një përmirësim të dukshëm në arkëtimet familjare me 4.32 për qind dhe arkëtimet private me 3.41 për qind, në krahasim me periudhën janar-qershor 2008 dhe arkëtimet në total shënojnë një rritje prej 2.53 përqindësh”. OSSH-ja, për të rritur nivelin e arkëtimeve dhe për të ulur nivelin e humbjeve të energjisë elektrike, është duke investuar në zhvillimin e rrjetit të tensionit të ulët dhe tensionit të mesëm, si dhe në rritjen e instalimit të matësve. Në zonat Korçë, Berat, Gjirokastër, Elbasan dhe Burrel ka përfunduar pajisja me matës të abonentëve.

Hapen këtë vit 80 zyra të reja të këmbimit valutor

Rritet numri i zyrave të këmbimit valutor në vendin tonë. Në krahasim me një vit më parë kur ky numër ka qenë rreth 113 zyra të tilla, në nëntë muajt e parë të vitit janë licencuar nga Banka e Shqipërisë edhe rreth 80 zyra të reja të këmbimit valutor. Numri i zyrave të këmbimit valutor në total, sipas burimeve zyrtare të BSH-së, ka arritur në rreth 190 zyra të tilla. Në krahasim me vitin 2001 numri i zyrave ku bëhet këmbimi i valutave të huaja në monedhën vendase dhe anasjelltas gati është shtatëfishuar. Viti 2007 dhe nëntë muajt e parë të 2008-s sollën një bum të licencimit të këtyre zyrave nga Banka e Shqipërisë, duke e kthyer këtë veprimtari nga një treg informal kur paratë shkëmbeheshin në rrugë, në një treg të ligjshëm. Në qershor të vitit të kaluar me një urdhër të ministrit të Financave i mbështetur edhe nga autoritetit mbikëqyrës bankar u ndalua që paratë të qarkullonin në tregu e zi të “kambistëve”, madje duke i larguar ata me forcë nga Policia e Rendit prej vendit ku grumbulloheshin. Urdhri u shoqërua me zbatimin e rregullores së re, për licencimin e zyrave të këmbimit valutor, duke reduktuar numrin e dokumenteve dhe ulur vlerën e kapitalit themeltar. Departamenti mbikëqyrës i BSH-së ka hartuar edhe kuadrin rregullator ligjor të posaçëm edhe për këto zyra, si dhe rregulloret mbi të cilat ato veprojnë.

18 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›