E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milo: “Masat e qeverisë që vendi të mos preket nga kriza financiare”



Projektbuxheti i vitit 2009 nuk ka thjesht masat e marra në kontingjencë, por ai është një politikë tërësisht preventive, sipas këshilltarit ekonomik të kryeministrit, Petraq Milo. Sipas tij, janë tre masa preventive, të cilat janë pjesë e politikës monetare fiskale dhe makroekonomike të qeverisë, duke zbërthyer në radhë të parë politikën fiskale, e cila është një politikë në vazhdimësi e uljes së barrës fiskale, që bën të mundur një lloj mundësie më tepër për investimet e brendshme dhe biznesin privat për të pasur më shumë mjete financiare për të financuar investimet dhe punësimin. “Financimi i investimeve publike përkthehet në financimin e infrastrukturës rrugore dhe infrastrukturave të tjera në përgjithësi dhe përbëjnë një bazë të fuqishme për rritjen ekonomike”, - ka deklaruar Milo. Ai ka vijuar më tej se “një hap i rëndësishëm është politika e uljes së deficitit, nga 3 për qind e atij të brendshëm në vitet e mëparshme në 1 për qind në vitin 2009”. Një politikë tjetër preventive për vitin 2009 është politika monetare. “Është një politikë monetare e gërshetuar me politikën fiskale, prodhimi i së cilës është kontrolli i inflacionit. Shqipëria sot ka një inflacion prej 2.9 përqindësh, në një kohë që vendet e rajonit e kanë minimalisht dy herë apo tri herë më shumë. Politika e mbrojtjes së kontrollit të inflacionit, në radhë të parë është politikë mbështetëse për shtresat që janë më të prekura nga ndikimet inflacioniste, por njëkohësisht nuk duhet të harrojmë se është një mbështetje kryesore për zhvillimin ekonomik dhe sidomos të investimeve të huaja”, - tha Petraq Milo. Po ashtu, Milo vuri theksin edhe te siguria mbi sistemin bankar, ku tha se “kontrolli dhe forcimi i sektorit bankar për të rritur më shumë transparencën dhe për të kontrolluar kreditë është i rëndësishëm, pasi një nga shkaqet e krizës ka qenë dhënia e kredisë personave që nuk kanë punë, nuk kanë të ardhura, nuk kanë pronë. Pikërisht forcimi i këtyre rregullave garanton qëndrueshmërinë ose dhënien e kredisë në aktivitete që mbështesin rritjen ekonomike”.

Fondi i parashikuar për emergjencat dhe shërbimet e tjera në buxhetin e vitit 2009

Emërtimi i fondit Vlera në lekë

Fondi Rezervë dhe Kontingjencë i Këshillit të Ministrave 15.700.000 lekë

Fondi Rezervë i Këshillit të Ministrave 2.000.000 lekë

Fondi Rezervë për Politikë Pagash (e pakushtëzuar) 0 lekë

Fondi Kontingjencë për Politika Pagash dhe Pensionesh 7.700.000 lekë

Fondi Kontingjencë për Ruajtjen e Deficitit 6.000.000 lekë

18 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›