Në regjistrin e kredive, së shpejti edhe institutet jo banka
Në regjistrin e kredive do të futen së shpejti edhe institucionet jo banka. Deri tani bankat e nivelit të dytë janë të detyruara të përditësojnë plotësimin e regjistrit me informacione në lidhje me klientët e tyre kredimarrës. Tashmë ky do të jetë një proces i detyrueshëm edhe për subjektet financiare jo banka. Regjistri i kredive ka shërbyer me sukses për marrjen e informacioneve për klientët kredimarrës të bankave. Në fund të 2007-s u krijua regjistri i kredive që është një bazë me të dhëna dhe informacione demografike dhe mbi angazhimet financiare, reale të personave që aplikojnë për kredi pranë një banke, degë të një banke të huaj të licencuar nga BSH-ja apo pranë institucioneve të tjera kredidhënëse. Kur ju paraqiteni pranë një banke për të marrë kredi, banka është e detyruar që të kontrollojë të dhënat në regjistrin e kredive nëse ju figuroni kredimarrës apo edhe dorëzanës. Por konsultimi me regjistrin e kredisë nuk është vendim për bankën. Duke marrë informacion mbi kreditë tuaja të mëparshme banka vlerëson nëse duhet t’jua akordojë një kredi tjetër dhe mundësitë që ju keni për ta shlyer atë. Çdo bankë e interesuar mund të gjejë në regjistër deri në 5 “gjurmë” të kërkesave që bankat e tjera mund të kenë bërë rreth jush, nëse keni një histori në marrjen e kredive.
18 Nentor 2008