E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Durrës–Kukës”, Gjykata pranon kërkesën e Telitit për moszgjatjen e afateve hetimore



Tiranë - Gjykata e Tiranës pranoi dje kërkesën e dy ish-funksionarëve të Ministrisë së Transporteve, Armand Teliti dhe Andi Toma, për moszgjatjen më tej të afateve hetimore nga Prokuroria e Përgjithshme për çështjen e Rrugës Durrës–Kukës, për të cilën ata janë nën hetim si të dyshuar për “abuzime me detyrën”. Në një prononcim për mediat, ish-zëvendësministri i Transporteve, Teliti, tha: “Falënderoj Gjykatën për vendimin që mori duke na dhënë neve të drejtë”. Për të, vendimi i djeshëm i Gjykatës dëshmon se vendimi i Prokurorisë për zgjatjen më tej të afateve hetimore për këtë çështje ishte i qëllimshëm dhe i pajustifikuar. Nga ana tjetër, të kontaktuar me telefon, burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme bënë të ditur se organi i akuzës do të ankimojë në Gjykatën e Apelit vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Lidhur me procedimin që Prokuroria e Përgjithshme po zhvillon prej disa muajsh për Rrugën Durrës-Kukës janë marrë nën hetim disa ish-funksionarë të Ministrisë së Transportit, Punëve Publike dhe Telekomunikacionit, të cilët dyshohen se kanë “abuzuar me detyrën” në ndërtimin e kësaj rruge.

Prençi-Grasso: Shqipëria dhe Italia, së bashku kundër krimit të organizuar

TIRANË - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, priti dje në takim kryeprokurorin e Antimafias Italiane, Piero Grasso. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bënë të ditur për gazetën se në takimin e zhvilluar paraditen e së martës, në mjediset e Policisë së Përgjithshme të Shtetit, drejtori Prençi, pasi e njohu kryeprokurorin italian me rezultatet e punës së Policisë së Shtetit, vlerësoi bashkëpunimin me Policinë Italiane Ros që nga dhjetori i vitit 2005. “Rezultatet kanë ardhur paralel me reformimin e gjithanshëm të strukturave të Policisë Shqiptare, duke rritur ndjeshëm profesionalizmin dhe kredibilitetin përballë partnerëve të saj europianë”, - tha Prençi. Lufta ndaj krimit të organizuar ishte një tjetër pikë e diskutimit ku Prençi paraqiti rezultatet konkrete të policisë shqiptare, duke vënë në dukje se është minimizuar trafiku i drogës nga Shqipëria në Itali. Nga ana e tij, kryeprokurori i Antimafias italiane, Piero Grasso, pasi vlerësoi arritjet e policisë shqiptare, u shpreh për gjetjen e një rruge të përbashkët në luftën kundër krimit të organizuar, e cila është thelbësore dhe primare e një bashkëpunimi dypalësh. Për të gjetur prova dhe tregues që të çojnë në rrjetet kriminale, - u shpreh kryeprokurori Grosso, - duhet një bashkëpunim ndërnacional.

“Era e Paqes 2008” sjell “furtunë” stërvitore në Brigadën e Zall-Herrit në Tiranë

“Era e Paqes 2008”, - u emërtua stërvitja që u zhvillua këto ditë në mjediset e Brigadës së Reagimit të Shpejtë në Zall-Herr, në bashkëpunim me përfaqësuesit dhe ekspertët e Forcave të Armatosura Italiane dhe të Delegacionit Italian të Ekspertëve, që prej shumë vitesh zhvillon aktivitetin e tij në Shqipëri në ndihmë të Forcave të Armatosura Shqiptare. Në ditën përmbyllëse të kësaj stërvitjeje ishin të pranishëm ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneralbrigade, Maksim Malaj, ambasadori i Republikës së Italisë në vendin tonë, Saba D’elia, kryetari i DIE-s në Shqipëri, Gjeneral Aldo Picotti, gjeneralë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe komandave kryesore të Forcave tona të Armatosura, atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë, përfaqësues të shtabit të NATO-s në Tiranë, të DIE-s, CUBIC, etj. Stërvitja ushtarake filloi më 10 nëntor dhe kishte për qëllim vlerësimin e Batalionit të Dytë të Këmbësorisë të Brigadës së Reagimit të Shpejtë. Vlerësimi u realizua nga ekipi i NATO-s sipas planit të miratuar nga Komanda Supreme e Fuqisë së Aleancës në Europë, “SHAPE”. Në këtë stërvitje u angazhuan 752 trupa, të cilat gjatë gjithë zhvillimit të skenarit të stërvitjes ishin aktive dhe ndërvepruese. Skenari i stërvitjes u bazua në krijimin e situatave sa më të përafërta dhe reale me ato që krijohen gjatë zhvillimit të operacioneve në mbështetje të paqes, duke i ndihmuar konkretisht trupat pjesëmarrëse në përballimin me sukses të tyre. Gjatë ditëve të stërvitjes, trupat pjesëmarrëse përpunuan dhe përmbushën me sukses një varg detyrash që lidhen me monitorimin e grupeve terroriste dhe liderëve të tyre; ndërhyrjen për të qetësuar situatat në zonat e tensionuara; shoqërimin e personaliteteve civile dhe ushtarake; bashkëpunimin dhe mbështetjen e autoriteteve lokale dhe popullsisë civile të zonës në krizë për të rindërtuar sistemet qeveritare, kulturore dhe arsimore; ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë etj. Në vazhdim, ministri Oketa, i shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneralbrigade Maksim Malaj dhe të ftuarit e tjerë, ndoqën nga afër një demonstrim nga toga shëndetësore me skenar evakuimin nga fusha e luftimit të të plagosurve, dhënien e ndihmës së parë dhe transportimin e tyre me helikopterë për një ndihmë më të specializuar, si dhe përballimi i një situate kur një formacion në mision sulmohet nga një grup demonstruesish në venddislokimin e tij. Brigada e Reagimit të Shpejtë është një ndër strukturat elitare të FA Shqiptare, e cila ka dhënë një kontribut të veçantë në operacionet e ruajtjes së paqes në Irak, Afganistan, Bosnjë-Hercegovinë. Aktualisht, trupat e kësaj brigade janë të angazhuara në shërbim të paqes me tre kontigjente në zona të ndryshme të Afganistanit. Stërvitja “Era e Paqes 2008” ishte një ndër detyrat më të rëndësishme të kësaj njësie për vitin 2008.

19 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›