E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fillimjavë e përgjakshme, 1 i vdekur dhe 5 të plagosur në aksidente

Regjistrohen aksidente në rrethet e Kavajës, Elbasanit, Korçës dhe Lezhës. Vdes 15-vjeçari me motoçikletë, kosovarja përplaset me mjetin e ushtrisë

Edhe fillimi i kësaj jave ka nisur i përgjakshëm në rrugët e vendit tonë. Vetëm gjatë 36 orëve të fundit janë regjistruar të paktën 5 aksidente, të cilat kanë pasur një bilanc me 1 person të vdekur dhe 5 persona të plagosur. Burimet zyrtare raportojnë se aksidentet rrugore ndodhën në rrethet e Kavajës, Lezhës, Elbasanit, Korçës. Në shumicën e këtyre ngjarjeve, shkak ka qenë shpejtësia në drejtimin e automjeteve. Aksidenti më i rëndë u regjistrua në autostradën Durrës-Rrogozhinë, ku si pasojë e përplasjes së një kamioni me një motoçikletë ka gjetur vdekjen një 15-vjeçar. Këto aksidente i bashkëngjiten shifrave alarmante të viktimave që shkaktohen çdo ditë në rrugët e vendit tonë.
Viktima në Kavajë
Përplasja mes dy mjeteve i ka marrë jetën një 15-vjeçari në Kavajë, ndërkohë që policia ka vënë në pranga të dyshuarin për këtë ngjarje. Burimet zyrtare nga policia vendore bëjnë të ditur se u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Adriatik Balliu, lindur në Pogradec dhe banues në Rrogozhinë. Prangosja e 23-vjeçarit Balliu është bërë pasi teksa drejtonte mjetin tip kamion, me targa KJ 8204 A, në autostradën Rrogozhinë-Durrës, në afërsi të varrezave Kavajë, ka goditur motoçikletën tip “Piaggio”, e cila i ka ndërprerë rrugën. Për pasojë, është aksidentuar me vdekje drejtuesi i motoçikletës, 15-vjeçari K. H. Materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Kavajës për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.
Plagoset kosovarja
Një tjetër aksident është regjistruar gjatë ditës së djeshme në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, ku ka mbetur e plagosur një shtetase nga Kosova. Sipas burimeve zyrtare, ngjarja ndodhi dje, rreth orës 15.30, kur një makinë tip Volkswagen, me targa të Kosovës, humbi drejtimin dhe u përplas me një automjet ushtrie, duke shkaktuar plagosjen e drejtueses së saj, 28-vjeçares Merita Trokja, lindur e banuese në Prishtinë. Sipas grupit hetimor, aksidenti ndodhi në Xibrakë, në komunën Labinot-Fushë, te nënkalimi hekurudhor. Aksidenti ndodhi për shkak të rrëshqitjes së automjetit Volkswagen nga lagështira në rrugë. Burimet e policisë njoftuan se e plagosura u dërgua në Spitalin Kirurgjik të Elbasanit, ku ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Përplasja mes dy mjeteve
Një aksident me plagosjen e dy personave ka ndodhur në orët e vona të së hënës në Pogradec. Policia lokale ka bërë të ditur se rreth orës 20.30, në segmentin rrugor Pogradec- Qafë Thanë, në vendin e quajtur Guri i Kuq, mjeti tip “Benz” me targë PG 4244 B, me drejtues Erion Hysenllarin, lindur dhe banues në Pogradec, është përplasur me mjetin tip “Citroen” me targë TR 9636 J, me drejtues mjeti Genci Murthin, lindur dhe banues në Tiranë. Nga kjo përplasje janë plagosur dy persona, të cilët udhëtonin si pasagjerë në mjetin me targa të Tiranës, të cilët kanë marrë ndihmën mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia tha se janë kryer veprimet procedurale në gjendje të lirë për veprën penale “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” në ngarkim të Erion Hysenllarit. Një tjetër përplasje mes dy mjeteve ndodhi mbrëmjen e së hënës edhe në aksin rrugor Fushë Krujë-Lezhë. Në aksident janë përfshirë një furgon pasagjerësh dhe një automjet. Dy të dëmtuarit kanë marrë plagë të rënda dhe janë dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak në kryeqytet. Sipas policisë, aksidenti ndodhi sepse të dy mjetet kanë qenë me shpejtësi të madhe tej normave të lejuara dhe kanë humbur kontrollin duke goditur njëri-tjetrin. Policia që mbërriti në vendngjarje nisi hetimet, por nuk mundi të shoqërojë drejtuesit e mjetit për shkak se ata janë larguar për t'i shpëtuar ndalimit.
Gjatë këtij muaji janë regjistruar me dhjetëra aksidente, të cilat kanë shkaktuar një bilanc tragjik. Aktualisht, Shqipëria renditet me numrin më të lartë të aksidenteve për frymë në të gjithë Europën. Shumica e tyre ndodhin për shkak të infrastrukturës rrugore të dobët, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve dhe problemeve në dhënien e lejeve të drejtimit nga autoshkollat.

STATISTIKA
K. H., 15 vjeç, - Kavajë
Merita Trokja, 28 vjeçe, - Elbasan
Erion Hysenllari, - Pogradec
Genci Murthi, - Pogradec
Dy persona u plagosën në Lezhë

19 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›